Ernest Gjoka do të vazhdojë të jetë trajner i Shkupit edhe për sezonin e ardhshëm. I emëruar te Shkupi më 23 prill, me qëllim titullin kampion, edhe pse ky objektiv nuk u arrit, ish-trajneri i Superiores do të vazhdojë me kryeqytetasit.
Newsport.al ka mësuar se Gjoka do të vazhdojë aventurën e tij me shkupjanët, klub të cilin e ka drejtuar deri më tani në 4 ndeshje, nga të cilat ka fituar 1, humbur 2 dhe barazuar 1 tjetër.
Pavarësisht se janë statistika jo të kënaqshme, klubi i Shkupit ka besimin se tekniku 50-vjeçar ka aftësitë për të rikthyer ekipin te titulli kampion dhe lavdia në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Kujtojmë se kjo është hera e dytë që Gjoka drejton një ekip në Maqedoni, pasi më parë pa ka qenë trajner i Shkëndijës së Tetovës, në sezonet 2019-2021.