Almir Kryeziu është futbollisti më i ri i Shkëndijës. Përmes një postimi të shpërndarë pak minuta më parë në rrjetet sociale, “kuqezinjtë” njoftojnë afrimin e bujshëm të sulmuesit i cili do të luajë në elitën e futbollit maqedonas për dy sezonet e ardhshme.
Pas firmës mbi kontratë, ai ka udhëtuar drejt Sllovenisë, aty ku po mbahet edhe faza përgatirore në vigjilje të sezonit të ri. 27-vjeçari kalon si futbollist i lirë, pasi kontrata me Ballkanin i përfundonte në fundin e këtij sezoni. Me ekipin nga Suhareka, Kryeziu zhvilloi një sezon të shkëlqyer, pasi në 39 ndeshje të zhvilluara, e ka gjetur golin në 14 raste dhe i ka “gatuar” 16 të tillë.
Më herët, Kryeziu ka veshur edhe fanellën e Dritës, KF Arbërisë, KF Xërxas, FC Lirisë dhe KF Rahovecit. Po ashtu, ai numëron edhe një titull me Ballkanin në sezonin 2023/24, sezon në të cilin ai drejtohej pikërisht nga trajneri Ilir Daja.
