
Lorenc Trashi i dha fund ditën e djeshme aventurës me Partizanin dhe tanimë do të udhëtojë drejt Kuvajtit ku ka firmosur një kontratë 5-vjeçare. Mbrojtësi i kryeqytetasve padyshim që ka krijuar një boshllëk të madh në prapavijë. Për vite me radhë u shndërrua në idhullin e tifozërisë dhe pikë referimi për ekipin e Partizanit. Arriti Kombëtaren, ndërsa dha një kontribut të madh në fitimin e titullit kampion pas 26 vitesh.
Të gjithë e kanë vleresuar si më të mirin e Superiores në rolin e tij. E në këto kushte drejtuesve u lind nevoja për të gjetur zëvendësuesin e tij. Cilësitë e jashtëzakonshme tekniko-taktike të Trashit e bëjnë të vështirë "misionin". Në skuadër është Esin Hakaj, por shkodrani nuk mjafton për edicionin e ri. Pritet me interes të shihet se cili do të jetë pasardhësi i Trashit, ndërsa e sigurt që drejtuesit po kërkojnë me lupë për të mos përsëritur gabimet e sezoneve të shkuara.