
Skënderbeu ka në dispozicion për sfidën ndaj Luftëtarit kapitenin Marko Radas dhe sulmuesin Blerim Krasniqi. Kroati shleu pezullimin për shkak të kartonave pas humbjes me Kukësin, kurse Krasniqi është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe do të jetë një armë shtesë për sulmin bardhekuq. Rikthimet e tyre vijnë në momentin e duhur për kampionët në fuqi, pasi prej 3 ndeshjesh radhazi skuadra e Shehit nuk e njeh fitoren dhe ndaj Luftëtarit të dielën, Skënderbeu ka mundësinë më të mirë për të marrë 3 pikët duke parë dhe gjendjen e vështirë financiare dhe psikologjike që po kalon skuadra dhe klubi gjirokastrit. Një fitore ndaj skuadrës së Mezanit do të ngrinte moralin e korçarëve për të qëndruar ende në garë për titullin kampion.