Fidan Aliti është një ndër lojtarët e Kombëtares së Kosovës që ka ngjitur shumë shkallë me paraqitjet e tij. Ish mbrojtësi i Skënderbeut që tanimë luan në Suedi me Kalmar, ka zhvilluar një sezon të mirë me skandinavët, duke rënë në sy të shumë ekipeve me emër. Vitin që lamë pas, Aliti bëri hapin e madh në karierrë, duke veshur fanellët e njërit prej klubeve më me emër në Suedi.
Për mediat kosovare, lojtari 26 vjeçar është shprehur se në drejtim të tij ka pasur shumë oferta, njëra prej të cilave nga kampionati italian. Koha Ditore raporton se ekipi që nuk i është ndarë Alitit është Atalanta, aty ku bën pjesë edhe shqiptari tjetër Berat Gjimshiti. Më herët Aliti ka qenë pjesë e klubeve të njohura si: Sherif Tiraspol, Slaven Belupo dhe Skënderbeu në Superligën shqiptare. Prej 2017 ai është pjesë e përfaqësuese së Kosovës, duke zhvilluar 17 paraqitje në mbrojtje.