
FSHF do të bëjë publike listën me lojtarët e grumbulluar nga trajneri Sylvinho për dy ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Ishujt Faroe, më 17 dhe 20 nëntor. Ftesat janë dërguar dhe biletat u janë rezervuar legjionarëve për kthimin e tyre në atdhe.
Ashtu si në tetor, braziliani nuk pritet të bëjë ndryshime të mëdha, por do të listojë të njëjtët lojtarë të cilët kanë shkëlqyer deri tani në këtë rrugëtim. Ardian Ismajli pritet të rikthehet pas mungesës për shkak dëmtimi në tetor, ndërsa dilema e vetme është në majën e sulmit.
Armando Broja apo Marvin Çuni, ky është balotazhi i Sylvinhos. Sulmuesi i Chelseat është thuajse jashtë për shkak dëmtimi i cili sipas gjasave do t’i mohojë një tjetër grumbullim me shokët e Kombëtare.
Bomberi i Frosinones gëzon një formë të mirë pas golit të parë të shënuar në Serie A fundjavën që lamë pas. Në miqësoren me Bullgarinë, Çuni bëri debutimin e tij me Kobmëtaren “A”, dhe sipas të gjitha gjasave, pritet që të fitojë këtë balotazh me Brojën.
Ekziston edhe mundësia reale që asnjëri prej tyre të mos marrë ftesën pasi aktualisht në repartin e sulmit janë plot 8 lojtarë si Jasir Asani dhe Arbnor Muja për krahun e djathtë, Sokol Cikalleshie Mirlind Daku për qendrën, dhe Taulant Seferi me Myrto Uzunin për të majtin, shtuar këtyre edhe Ernest Muçin i cili i bën të gjitha, qoftë edhe pozitën 10-sh.
Megjithatë, dyshimet do të shuhen përfundimisht sot në orën 12:00 kur FSHF të bëjë publike listën e lojtarëve.