Teksa jemi një muaj larg fillimit të Botërorit, të gjitha ekipet po bëhen gati të ndezin motorrat dhe në media apo edhe mes tifozëve po hapen debatet e para se kush do ta fitojë këtë herë. Një ndër ekipet që është në një formë fantastike është edhe Argjentina e Leo Messit e cila nuk njeh humbje prej 34 ndeshje dhe është pranë rekordit të Italisë me 37 ndeshje.
Në një intervistë për DirectTV, në Argjentinë, Messi mundohet të largojë presionin nga ekipi i tij dhe t’ja “veshë” rivalëve të Brazilit.
“Ka shumë skuadra që janë në formë të mirë. Nëse do të veçoja dy prej tyre atëherë do të thoja se Franca dhe Brazili janë favoritët për të fituar trofeun. Prej vitesh punojnë me të njëjtin grup dhe kanë futbollsitë të shkëlqyer. Patjetër që edhe Gjermania, Spanja, Anglia e Portugalia janë aty.”- shprehet Messi, i cili flet edhe për situatën e dëmtimeve të ekipi i tij.
“Dëmtimet janë një problem i madh. Është një Botëror ndryshe nga të tjerët pasi luhet në mes të sezonit dhe çdo problem, sado i vogël, mund të të lërë jashtë. Ajo që ndodhi me Dybalan dhe Di Marian na ka frikësuar paksa sepse mund t’i ndodhë të gjithëve. Unë shpresoj që të mos kemi probleme dhe të jemi të gjithë gati për të dhënë maksimumin.”- mbylli kapiteni i Argjentisës.