Dje u konfirmua lajmi se Ilion Lika kishte kërkuar nga Flamurtari rrogat e prapambetura, të cilat bënin fjalë për një shumë prej 50 milionë lekësh që ish-poriteri i Flamurtarit nuk ka marrë gjatë kohës që ka qenë pjesë e kësaj skuadra, në vitin 2015.
Lidhur me çështjen që tashmë ka kaluar në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve ka reaguar administratori i klubit të Flamurtarit, Sinan Idrizi.
Ai është shprehur se Lika do marrë atë që meriton, por ishi i vlonjatëve nuk mund të kërkojë para për kohën që ka qenë i pezulluar për 6 muaj nga etika për trukim. Ndër të tjera Idrizi është shprehur me tone të ashpra se ka qenë ai që e ka mbajtur me bukë Likën në kohën që ishte i dënuar.
Administratori i Flamurtarit ka folur dhe për çështjen e hotelit që është bërë dje objekt debati nga sllovenët. Pretendohet se klubi vlonjat nuk ka shlyer ende detyrimet e fazës përgatitore, ndërkohë që Idrizi thekson se nuk bëhet fjalë për një shumë prej 30 mijë eurosh sikurse është shkruajtur në media, pasi bëhet fjalë për një gabim.
Ndër të tjera cilëson se kushtet e hotelit ku është akomoduar skuadra gjatë fazës përgatitore nuk ka qenë ashtu sikurse ishin prezantuar nga kompani dhe se "numri 1" i klubit të Flamurtarit është i gatshëm të ballafaqohet me këta të fundit për t'i dhënë një zgjidhje kësaj çështje, por duke mbrojtur tezën se, nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo çfarë është thënë ditën e djeshme.