Bastet sportive janë një ndër temat më të nxehta të kësaj kohe, pasi diskutimi për hapjen e tyre sa vjen e rritet. I ftuar në emisionin “Skaner” presidenti Gaz Demi ka folur rreth kesaj teme, por nuk ka lënë pa përmendur dhe ligjin e sponsorizimit.
Si një biznesmen i hershëm presidenti i Partizanit ka pohur faktin që ka pasur kompani bastesh para se të futej në botën e futbollit. Ligji i sponzorizimit është një nga pikat ku është mbështetur më shumë, këtë e ka krahasur dhe me Kosovë. Nuk ka lënë pa përmendur dhe ftesën e kryeministrit për Luiza Gegën dhe pasaportat diplomatike të ekipit Kombëtarë.
Prononcimi i plotë i z.Gaz Demi:
“Unë jam një biznesmen që kam pasur edhe kompani bastesh para se të futesha te futbolli. Të gjithë flasin sikur po ndodh ndonjë çudi e madhe, për llotot online me pashaporta e gjëra. Ata që vendosin baste me shuma të mëdha, nuk vendos asnjë shqiptar me dokument. Të gjithë kanë linjat e tyre. Bastet kanë vazhduar deri sot normalisht. Njëri është i fortë i merr lekët, tjetri nuk është dhe aq i merr gjysmat. Mua më intereson pjesa e sportit. Duhet të bëhet ligji i sponsorizimit. Ne mund ta bëjmë më mirë se modeli i Kosovës se jemi shtet më i vjetër. Para ca ditësh pashë dhe u ndieva krenar që Edi Rama ftoi Luiza Gegën në kryeministri. Mu kujtua koha kur u prit Kombëtarja nga Europiani. I dha pasaporta diplomatike, pastaj ia hoqi, nuk e di çfarë u bë. Sporti është pasaporta më e mirë. Ju duhet të diskutoni vetëm për ligjin e sponsorizimit, kjo puna e basteve është muhabet kot. Nëse hapen bastet dhe nuk ka pika pika, por do të jenë brenda rregullit, janë pa vlerë. Janë pa vlerë se bastet nuk janë ndërprerë asnjë, askush nuk e çan kokën se çfarë ka bërë Qeveria. Po e bëni si çudi të madhe”.