Kryeministri Edi Rama inkurajon kuqezinjtë para ndeshjes me Francën sot në mbrëmje. Ai beson se Shqipëria do të bëjë të pamundurën, nëse luan pa presion, ndërkohë që kërkon mbështetjen morale të gjithë shqiptarëve. Ja çfarë shkruan Kryeministri Edi Rama: “Sonte sprova e dytë e Kuqezinjve. Super e vështirë, por asgjë s'është e pamundur, nëse djemtë e mrekullueshëm të Kombëtares do të hyjnë në fushë të çliruar nga presioni i jashtëzakonshëm i përgjegjësisë, që i pengoi të luanin lirisht në gjysmën e pjesës së parë të ndeshjes me Zvicrën dhe të ishin të kthjellët në rastet e pastra vetëm për vetëm përballë portierit... Le t'u çojmë me një like mesazhin e mbështetjes sonë të pakushtëzuar nga rezultati dhe cilidoqoftë rezultati, ata mbeten heronjtë e padiskutueshëm të këtij momenti magjik të futbollit tonë.
Forca Shqipëria në fushën e lojës dhe në shkallët e stadiumit, ku tifozët kuqezinj bënë të flitet me superlativa për kulturën sportive, që shfaqën para, gjatë dhe pas ndeshjes së parë me Zvicrën.”