
Merkato e janarit ka hyrë në horizont dhe vetëm 3 javë na ndajnë nga çelja zyrtarisht e dritares së transferimeve. Ekipet kanë nisur të bëjnë bilancet me objektivat dhe atë që është marrë deri tani nga fusha e lojës. Edhe pse merkato e janarit nuk ofron shpesh mundësi të mira në treg, në futbollin shqiptar shpeshherë ka lëvizje të shumta.
Lojtarët që ofrojnë cilësi dhe nivel kërkohen me lupë, sidomos kur janë ‘okazione’ si rasti i Ardit Hilës. Mesfushori është kthyer në çështje te Tirana pas 2 dënimeve disiplinore nga klubi. Marrëdhënia mes tij dhe klubit nuk është më aq e ngrohtë dhe ndarja me konsensus e palëve pritet të vijë në janar.
Elbasani në Kategorinë e Parë ‘kryqëzon’ gishtat për këtë mundësi me Ardit Hilën që ka shprehur hapur ëndrrën për t’u rikthyer një ditë në ekipin e qytetit të tij. Ardit Hila mund të bëjë një ‘sakrificë’ 6-mujore duke zbritur në Kategorinë e Parë dhe të ndihmojë Elbasanin e tij të sigurojë rikthimin në elitë me verdheblutë që janë në rrugën e duhur që tani.
Ajo ç’ka e bën edhe më të realizueshme këtë lëvizje është edhe fakti që Hila jeton në Elbasan që pas rikthimit në Shqipëri duke u larguar nga qyteti vetëm në rastet e stërvitjeve të ekipeve ku luante.