Erjon Allaraj nuk do të jetë më pjesë e Kukësit. Zëdhënësi për shtyp i verilindorëve ka njoftuar largimin e tij pas tre viteve plot ulje-ngritje me kuksianët. Një lajm i papritur nga kampi kuksian që po bëhet gati për ndeshjen e nesërme me Teutën në Kupë. Një sezon me shumë hyrje e dalje nga Kukësi, ku veç lojtarëve ka pasur rokada edhe në stafin teknik.
“Faleminderit Kukesi! Nga dita e sotme, nuk jam më pjesë e klubit të Kukësit. Çdo fillim e ka një fund dhe pas 3 viteve eksperiencë me momente shumë të bukura por edhe të vështira, ka ardhur koha për t'u përshëndetur.
Falënderoj drejtuesit e klubit për besimin e dhënë, drejtorët sportivë, të gjithë trajnerët, çdo futbollist dhe të gjithë administratën, stafin teknik e stafin ndihmës me të cilët kam bashkëpunuar.
Dua të falënderoj të gjithë tifozët të cilët e kanë mbështetur ekipin në çdo situatë e gjithashtu, më kanë mbështetur mua personalisht në këtë aventurë. Faleminderit dhe mirupafshim.”-shkruan Allaraj në rrjete sociale.