
10 ndeshje të luajtura, 11 gola të shënuar. Këto janë statistikat për sulmuesin e Laçit, Kirian Naubueze që është shndërruar në pikë referimi për ekipin kurbinas. Potent, i kudondodhur dhe mjaft i saktë me gjuajtjet e tij, 26 vjeçari është kandidati potencial për trofeun e golashënuesit të sezonit. Por, situata shëndetësore e tij duket se s'është e njëjtë me performancën në fushë. Amerikani me origjinë nigeriane ka probleme kardiake.
Më 28 qershor të vitit 2018-të, mediet e huaja bëjnë me dije që ai është detyruar të largohet nga klubi i Goricës në Slloveni, pasi kanë qenë drejtuesit që kanë ndërprerë kontratën pas daljes së analizave, duke shpjeguar dhe arsyen. "Përgjigja e analizave s'i ka kënaqur mjekët, ndaj kemi vendosur të ndërpresim bashkëpunimin", thuhej asokohe në njoftimin e klubit slloven.
Futbollistit i bëhej me dije që duhej të linte urgjentisht futbollin, por një gjë e tillë nuk ndodhi pasi u transferua te Pobeda në Maqedoni. Me ekipin maqedonas, gjatë një ndeshje, lojtari është rrëzuar në fushë pasi s'është ndjerë mirë. Megjithatë ia ka hedhur paq. Tashmë pritet të shihet se ç'do të bëjnë kurbinasit pasi me një lojtar që ka probleme me zemrën, vështirë se mund të rrezikohet në fushë.