Ditën e djeshme, Laçi barazoi në shtëpi përballë Tiranës. Ndeshja e vlefshme për javën e 16-të të Superiores përfundoi me rezultatin 2-2. Me këtë pikë të marrë, kurbinasit renditet në vendin e 6-të të renditjes me 17 pikë të grumbulluara.
Në një prononcim ekszkluziv për Newsport.al, portieri i Laçit, Mario Dajsinani është shprehur se ndeshjen ndaj Tiranës e kishin vlerësuar maksimalisht. Gardiani i kurbinasve thotë se janë të kënaqur me 1 pikë duke parë se si shkoi ndeshja ndaj ‘bardhebluve’.
“E kishim vlerësuar ndeshjen ndaj Tiranës. Duke ditur nevojën që kemi për pikë, kualitetin që kundërshtarët kishin dhe duke parë si shkoi loja, jemi të kënaqur me barazimin. Objektivi i Laçit dihet që është “Final Four”, por është herët akoma. Kështu që mendoj se objektivi është ndeshja e radhës, ajo ndaj Skënderbeut.
Përsa i përket sfidës me këta të fundit është shumë e vështirë. Skënderbeu kërkon vlerësim maksimal sepse është një kundërshtar që në fushën e tyre ka treguar që janë shumë ekip i fortë”, është shprehur Dajsinani.