Berat Gjimshitin e ndjek “fati” i keq në këtë sezon, pasi mbrojtësi i kombëtares shqiptare e nisi titullar sfidën ndaj Romës, por në minutën e 73-të u detyrua të linte fushën e lojës. Gjimshiti u dëmtua dhe e kishte të pamundur të vazhdonte lojën.
Pas një dueli me Abraham, Gjimshiti shihet duke çaluar dhe më pas shtrihet në tapet për të kërkuar ndihmën e mjekëve, të cilët e udhëzuan të dilte nga loja. Në lidhje me gjendjen e qendërmbrojtësit kuqezi ka folur edhe trajneri Gian Piero Gasperini, i cili theksoi se duhet të priten analizat mjekësore për të mësuar shkallën e dëmtimit.
“Mendoj se Gjimshiti mori një goditje të fortë në gishtin e madh të këmbës. Duhen testet për të provuar nëse bëhet fjalë për thjesht një goditje apo nëse kemi të bëjmë me një thyrje. Në ditët në vijim do ta shohim, por rreziku ekziston”, u shpreh Gasperini.
Sakaq, testet te Atalanta do të tregojnë edhe nëse mbrojtësi do të jetë gati për ndeshjet kualifikuese të Shqipërisë në muajin qershor kur kuqezinjtë e Sylvinhos presin Moldavinë dhe udhëtojnë në transfertë ndaj Ishujve Faroe.