Klubi i Partizanit ka zyrtarizuar afrimin më të ri në gjirin e vetë, futbollistin nga Kavaja, Tedi Cara. Të kuqtë kanë nënshkruar për 5 vite me talentin e Besës dhe tashmë pritshmëritë që Cara të shpërthejë me Partizanin janë të mëdha.
Po kush është Tedi Cara, talenti që ditët e fundit ka "rrëmbyer" vëmendjen e mediave dhe aktorëve të futbollit në Shqipëri?
Tedi Cara është lindur në Durrës në familje kavajse, në 15 prill të vitit 2000. 19 vjeçari e ka treguar që në momente të hershme talentin që ka në futboll teksa ka qenë pjesë e ekipeve zinxhire të Besës që nga U-13, në moshën 11 vjeçare.
Në vijim Cara i hodhi hapat një nga një, të ngadaltë por të sigurt. 19 vjeçari i ngjiti me radhë ekipet zinxhire teksa vetëm 13 vjeç u bë pjesë e Besës U-15, ndërsa në U-17 kaloi një vit më vonë kur ishte 14 vjeç. Edhe pse 3 vite më I vogël se shokët dhe kundërshtarët Cara me talentin e tij ia doli të rreshtohej mes më të mirëve. Vetëm 15 vjeç Cara do të merrte ftesën nga ekipi i parë i Besës. Ndërsa do të shkëlqente edhe me ekipet zinxhire të Kombëtares shqiptare ku ftesën e parë e mori në 2018.
Në sezonin 2016/2017 Cara do të lunate 627 minuta ku arriti të shënonte vetëm 1 gol. Duke e ditur talentin që djaloshi kishte në këmbë, stafi teknik i ekipit të Besës I besoi atij edhe në vitet në vijim. Teksa tashmë, trajneri Gugash Magani i dha besimin e duhur në skuadër duke i mundësuar dhe shpërthimin në mënyrë që të vihej re nga radarët e ekipeve të mëdha. Në 12 ndeshje të edicionit 2019/2020, Cara ka shënuar 8 gola një ecuri e cila e bëri Partizanin ta rrëmbente dhe ta blindonte me një kontratë 5 vjeçare.
