Profesioni i tij është shumë larg me botën e futbollit, mirëpo dashur pa dashur është bërë pjesë e "fushës" për shkak të klientelës në biznesin që zotëron. Quhet Romi Shehi dhe për sportdashësit është i panjohur, ama për futbollistët jo! Djaloshi nga kryeqyteti është njeriu që kujdeset për "look"-un e disave nga lojtarët e Superiores apo ata që kanë kontribuar në elitë. Ai vjen sot në një intervistë shumë të veçantë për Newsport.al.
Sigurisht këtë radhë nuk ka punë me gërshërët dhe krëhërin, por duhet të hapë "repertorin" e tij për të na zbuluar disa thashetheme në lidhje me "trazovacët" e kampionatit shqiptar. Nga Jasir Asani e deri te Kristal Abazaj, të cilin e etiketon me batutë "si njeriun që s'di ku ka kokën".
Është i drejtpërdrejtë në përgjigjet e tij, por kur vjen momenti të na zbulojë diçka nga kjo merkato vere, preferon të na thotë: "Zotëri, berberhanja është e mbyllur. Kaloni nga shtatori". Sigurisht këtë s'e thotë me gojën e tij, por e lë të nënkuptohet se miqësia me ta është kaq e madhe, saqë nuk mund të prishë punë në lidhje "hyrje-daljet".
- Jeni shumë larg
futbollit, por profesioni juaj si berber iu ka bërë dashur padashur pjesë të
tij. Prej sa kohësh keni një klientelë futbollistash?
Kjo që thoni ju është e vërtetë. Fillimisht dua t'iu falënderoj ju për këtë
intervistë të veçantë dhe në këtë periudhë merkatoje, zgjodhët të isha dhe unë
pjesë e medies suaj. Ndihem i nderuar dhe është kënaqësi e veçantë dhe ndjesi
shumë e bukur, dashur pa dashur jam bërë pjesë e botës së futbollit.
- A ka qenë e
vështirë për ju të adoptoheni me shijet e tyre?
Duke qenë se kam shumë kohë që merrem me këtë profesion, s'ka qenë aspak e
vështirë. Çunat ma kanë lënë mua në dorë pjesën e pamjes së jashtme.
- Niveli i pagave
është rritur ashtu sikurse niveli i lojtarëve. Kush janë futbollistët më trendy
që kurojnë look-un e tyre tek ju?
Më vijnë shumë sportistë. Do të doja dhe do më pëlqente të veçoja, Kristal
Abazajn, Albi Dokën, Jasir Asanin, Gëzim Krasniqin, Rubin Hebajn dhe Klod
Nurin.
- Rrogat e tyre kapin
mijëra euro. Troç fare: A janë noj "fije" dorëlëshuar?
(Qesh) Unë dua t'i uroj të kenë sa më shumë arritje. Kur vjen puna te "xhepi",
mund t'iu them se nuk kursehen aspak.
- Kush është lojtari që kërkon të bëjë
protagonistin edhe në poltronin tuaj ashtu si në fushë?
Batuta ka plot, por si prototip s'do veçoja asnjërin. Janë të gjithë të
mrekullueshëm.
- Gjithmonë në lagje
të ndryshme përdoren si vendi i thashethemeve për femrat. Po te biznesi juaj
ndodh kjo me lojtarët?
(Qesh) Sigurisht! Kjo është normale në vendin tonë dhe e pashmangshme. Në
momentin që fiton një klientelë, fiton edhe miqësinë me ta dhe nuk mund të
shmangesh muhabetet nga më të ndryshme që mund t'i cilësojmë si "thashetheme".
Pra, është diçka normale.
- A ke dëgjuar
ndonjëherë "më tha, i thashë" për shokët e skuadrës?
Jo, nuk para flasin për atë që ndodh brenda ekipit.
- Kur thoni "para bëjnë
muhabete", do të thotë që ndonjëherë mund të ndodhë padashur?
(Qesh) Sinqerisht jo. E shohin si punë dhe si në çdo punë, çdo gjë që ndodh
mbetet brenda 4 mureve.
- A keni qenë pjesë e
një "lajmi" që mund ta keni nxjerr padashur nga ato qe keni dëgjuar?
Jo, s'ka ndodhur kurrë. Unë i kam miq dhe i trajtoj si të tillë edhe në
momentin që largohen nga këtu.
- Cilin prej tyre ke
më shum mik dhe marrëdhënia juaj vazhdon edhe përtej biznesit tuaj?
Me të gjithë jemi miq. Edhe jashtë biznesit ia kalojmë mirë. S'mund të veçoj
asnjërin.
- Meqenëse jemi në
periudhë merkatoje, je i detyruar të nxjerrësh një lajm që s'është publikuar në
media...
(Qesh) Nëse do të isha unë rasti përjashtimor, do të pranonit?
- Duke qenë se morët rolin e gazetarit,
pra një profesion të ri, po pranojmë të provonit aftësitë tuaja...
(Qesh) Faleminderit, përgjigje e bukur.
- Me atë Kristal
Abazajn ca "bohet mër vlla"? Shumë fjalë kanë dalë për të ardhmen e tij.
Unë mund t'iu them kaq: Kristali s'di ku ka kokën dhe përherë më thotë që s'e
kam qethur mirë edhe pse mund të kem bërë maksimumin tim. (Qesh)
- E sigurtë është se
shumë gjëra ndodhin në atë biznesin tënd, siç ishte puna e thashethemeve.
Rubini duket shumë "qefli" e duket se flirton në çdo moment ashtu si me topin në
fushë. Hajt, na thuaj diçka, nxirrja të "palarat"...
(Qesh) Ç'mund t'iu them unë për ta? Ju më përmendet vetëm Rubinin, ama iu
siguroj se të gjithë atje e kanë mendjen. (Qesh) Gjithsesi me anë të kësaj
interviste dua t'i përshëndes të gjithë se i kam miq të mrekullueshëm.
- Edhe diçka e fundit duhet. Thuaje!
Ç'të them... Ishte një intervistë e mrekullueshme. Sinqerisht iu falënderoj shumë dhe iu uroj suksese në punën tuaj. /Retin TOKA/
