
Boca Juniors dhe River Plate, dy ekipe që kanë shkruar historinë e futbollit argjentinas, por edhe dy ekipe që urrehen deri në "vdekje". Por, askush nuk mund ta ketë menduar se do të vinte dita që një prej këtyre ekipeve do të ndihmonte tjetrin të fitonte kampionatin.
Ndodhi dje, në një ditë drithëruese për tifozët argjentinas, ku Boca Juniors me 51 pikë dhe Racing Club me 50 pikë luftonin në javën e fundit për titullin kampion. Për ironi të fatit, në "La Bombonera" Boca priste Independente, rivalin e përbetuar të Racing, ndërsa këta të fundit në fushën e tyre kishin miq River Plate.
Ndeshjet u zhvilluan në të njëjtin orar, aq sa edhe bilbili i nisjes së takimeve ra në të njëjtën sekond. Në minutën e 32 Independente hesht "La Bomboneran" e stërmbushur, por vetëm 2 minuta më pas do të vinte edhe barazimi i vendasve. Ndërkohë, në sfidën tjetër gjithçka ishte e barabartë.
Pjesa e dytë do të niste me golin e Boca-s në minutën e 50-të, ndërkohë që edhe racing do të kundërpërgjigjej në minutën e 56-të. Kur mendohej se ndeshjet do të mbylleshin në këtë mënyrë për shkak edhe të rëndësisë së fitores për të dy ekipet, ndodh e papritura. Në minutën e 80-të River Plate barazon rezultatin, ndërkohë që të njëjtën gjë bën edhe Independiente një minutë më vonë. Me këto rezultate, Boca Juniors do të ishte kampion.
Por në minutën e 90-të Racing fiton një penallti. Galvan i futur në pjesën e dytë merr përsipër ta gjuajë, teksa goli do të thoshte kalimi në krye dhe fitorja e kampionatit. Përballë ka Franco Armanin, portierin legjendar argjentinas, i cili e pret 11-metërshin, pa e menduar se kjo pritje do të ndizte "zjarr" stadiumin e Boca Juniors, rivalin e përjetshëm. Por nuk mjafton kjo, pasi në minutën e 95-të, River Plate me anë të një kundërsulmi shënon edhe golin e fitores, duke shuar përfundimisht shpresat e Racing dhe duke ndihmuar rivalët më të urryer të fitojnë kampionatin në një fund dramatik. Festë në "La Boca", lagjen e vogël dhe të varfër të Buenos Aires, heshtje në Avellaneda.
Por kjo nuk është hera e parë që një ekip ndihmon rivalin e përjetshëm. Ka ndodhur në Shqipëri, kur Partizani ndalte Teutën dhe ndihmonte Tiranën të fitonte titullin kampion në vitin 1996.
Të kuqtë luanin pa asnjë synim, ndërkohë që durrsakët që vinin në atë takim si kryesues, kërkonin një fitore që t'i shpallte kampion. Nga ana tjetër, Tirana priste në "Skënder Halili" Albpetrolin. Ndehsja e bardhebluve përfundoi 1 orë më përpara se ajo mes Partizanit dhe Teutës, me vendasit që fituan me rezultatin 5-1. Ndërkohë, në "Selman Stermasi" Partizani vijonte të ndalte Teutën në barazim 0-0.
Ndeshja vijonte në barazim deri në minutën e 90-të, me arbitrin e katërt që sinjalizoi edhe minutat shtesë. Durrsakët ishin hedhur të gjithë në sulm në kërkim të golit që do t'u jepte fitoren e kampionatit, por për zhbllokimin e takimit do të mendonte Skerdilajd Curri, i cili shënon për Partizanin një nga golat më spektakolarë të kampionateve, teksa si për ironi të fatit, i dhuron titullin rivalit të përjetshëm, Tiranës.
Epo, në fund të fundit, ky është FUTBOLLI!