Struga fitoi përballë Vardarit me rezultatin e thellë 4-0. Ndeshja në kuadër të javës së 12-të të elitës së futbollit maqedonas foli e gjitha për të besuarit e Shpëtim Duros që bënë një paraqitje fantastike. Me këtë fitore, Struga “ndez” garën për vendin e parë duke u ngjitur në renditje. Pas kësaj sfide ka folur dhe trajneri i struganëve, Shpëtim Duro. Duro shprehet se ishte një fitore e merituar dhe është i kënaqur me talentët e ekipit.
“Fitore e merituar, pavarësisht se nuk shënuam gjatë pjesës së parë ku kemi humbur 4-5 raste të sigurta për gol, isha i bindur se do të shënonim. Skuadra funksionoi shumë mirë edhe në pjesën e parë, por në pjesën e dytë, pas golit të parë, çdo gjë ishte në kontrollin tonë dhe në fund arritëm atë që deshëm.
Kemi shumë futbollistë të rinj që kam aktivizuar këtë muaj. Tre futbollistë të rinj si Hadis Tairi 18-vjeçar, Hristijan Georgievski 20-vjeç dhe Bekim Kamberi 18-vjeç, pra janë tre futbollistë që po tregojnë se kanë cilësi dhe kanë forcuar organikën e skuadrës.
Në fundjavë e presim Shkëndijën, jemi rival të fortë me këtë skuadër, por gjithsesi edhe me FC Shkupin, ashtu që besoj se ndeshja e së dielës kundër skuadrës tetovare do të jetë shumë interesante”, është shprehur trajneri i Strugës, Shpëtim Duro.