Opinion nga Gerti Çarçani
Kanye West – 426 milionë lekë
Padeli – 2.2 milionë
Conference League – 0 cent
Ta përdorësh dhe të të shërbejë futbolli si një pikë referimi për imazhin turistik shqiptar, natyrisht që është një diçka pozitive, por ta marketosh politikisht këtë fakt, duke vepruar e folur tërësisht me tjetër standard, atëherë natyrisht që nuk je më i vërtetë, njëherësh as dinjitoz.
Me pak fjalë: kur futbolli kërkon vëmendje e pak suport, ti i përgjigjesh me akt normativ për padelin (2.2 mln euro direkt për 6 ditë sallore tenisi në shesh), e kur futbolli të duhet, e vë menjëherë si fasadë përpara, si koperturë për para publike në drejtim të një koncerti me kosto publike, që së fundmi të ka nxjerrë edhe kosto mungese transparence.
Dhe një konstatim i tillë vjen direkt së fundmi, e jo më vonë se dje, nga kryeministri në detyrë, z. Rama, në lidhje me argumentimin tejet të gjatë për paratë publike në drejtim të mbështetjes së koncertit të Kanye West.
Përdorja me një standard tërësisht dinak e finales së Conference League pak vite më parë, që UEFA ia besoi Shqipërisë e FSHF-së, të bën të besosh që tashmë Rama përdor kartën e futbollit për një koncert.
Një pyetje e thjeshtë dhe pa asnjë lloj nënkuptimi apo mbikuptimi: Në atë kohë, sa buxhet alokoi shteti shqiptar për atë finale europiane në Tiranë, në nxitje, impaktim e shërbim të turizmit shqiptar? Zero cent!
Për koncertin në fjalë u dhanë me shpejtësi 4 milionë euro para publike, apo, akoma më tej, muaj më parë 2.2 mln euro për padelin (akt normativ i mbrojtur nga deputeti Klosi në Parlament, njëherësh edhe sportist pasionant e medalist i padelit).
E nëse do të vinim në balancë e peshë impaktin mes dy eventeve, natyrisht që qasja ndaj 3 orëve koncert, përballë finales me 3 ditë pikë referimi europiane, ka algoritme të frikshme në raport me atë që futbolli prodhon si marketim turistik në vitrinën europiane.
E një rast i tillë natyrisht që përdoret keq, abuzivisht, nga ana e Edit në diskursin e një koncerti, për të cilin është angazhuar një shtet i tërë për të shitur bileta, përtej fondit bazik të akorduar me akt normativ.
Pra, mes një finaleje historike (e para e atij kompeticioni) dhe një koncerti rutinë, Rama vë përballë publikut dhe në shërbim të ndërgjegjes së tij turizmin, duke zgjedhur standarde të ndryshme operimi me paranë publike.
Natyrisht, konstatimi dhe transmetimi në publik do të kishte tërësisht tjetër vlerë, peshë dhe sinqeritet lidershipi, nëse publikut do t’i sillej në vëmendje nga vetë kryeministri ynë që:
“O popull, ne na erdhi një finale e madhe në Tiranë, na shërbeu dhe më shërbeu maksimalisht si event, por ne si shtet, dhe unë në atë kohë, nuk patëm mundësinë t’i akordonim qoftë edhe një cent institucionit bashkëorganizator në Tiranë.”
Këtu, i dashur Edi, do të kishte shumë më vlerë e shumë më vërtetësi paralelja që memoria juaj risolli në vëmendje me finalen e një kompeticioni europian futbolli.
Shtuar dhe faktin që asokohe disa kushte, që shteti nuk i plotësonte ende maksimalisht, janë “gëlltitur” dhe eventi iu besua Tiranës, ku kryeqyteti, e ju bashkë me të, morët mbrapsht benefitet turistike, politike, personale e institucionale.
Kjo është e vërteta kokëfortë për ujërat e pastra të protestës mbi koncertin e Kanye West. E megjithatë, kohë e vend korrigjimi me futbollin ka dhe do të ketë përherë.
Sikundër shteti direkt nxori 2.2 milionë euro nga buxheti për t’i çuar në një llogari jashtë Shqipërisë, për të sjellë këtu ca padelistë që u defryen para zyrës bosh të kryetarit të Bashkisë, edhe alokimi i fondeve për finalet e Europianit U-21, që kemi në prag, do të ishte një diçka e domosdoshme për të kuptuar e besuar se imazhin që na prodhon futbolli realisht e duam, jo vetëm e përdorim sipas rrethanave të momentit.
Do të kemi një Europian së bashku me Serbinë, me finale në Tiranë. Me praninë, besoj, edhe të kryeministrit në stadium. E nëse i japim Kanye West 4 milionë euro para publike, hidhini pak sytë edhe këndej nga motorët e rëndë që prodhojnë dhe impaktojnë shifra turistike me dhjetëra e qindra herë më shumë, që janë motorët e futbollit.
Dhe këtë gjë, shef Edi e di fare mirë. Thjesht kërkon të zbavitet pak, duke abuzuar jo pak, por me shpresën që në fund e ka kuptuar se këtë radhë futbolli iu desh si një avokat i zoti.
