
Kukësi është në ‘hall’ për stadiumin. Për momentin, verilindorët janë skuadra e vetme e Superligës që nuk kanë zyrtarizuar ende stadiumin se ku do të luajnë ndeshjen e javës së 10-të ndaj Egnatias.
Takimi është programuar që të luhet ditën e diel, ndërsa Kukësi si skuadra pritëse nuk e di ende se ku do të luajë këtë ndeshje. “Elbasan Arena” është zënë nga Partizani dhe Dinamo, ndërsa në “Loro Boriçi” luan Vllaznia e për këtë arsye te Kukësi nuk kanë zgjedhur ende stadiumin.
“Zeqir Ymeri” nuk është ende gati dhe në këtë mënyrë Kukësi ka ngelur në “ajër” për të gjetur një stadium ku të luajë ndeshjen e radhës. Një absurditet që ndodh me klubet shqiptare pothuajse çdo javë, ndërsa ata që e pësojnë janë tifozët pasi nuk kanë mundësi që të ndjekin nga afër skuadrën e zemrës duke parë që ndeshjet luhen larg qyteteve të tyre.