
Skënderbeu do të presë në shtëpi ekipin e Vllaznisë ditën e nesërme. Ndeshja që do të luhet në kuadër të javës së 9-të të “Abissnet Superiore” do të zhvillohet në stadiumin “Skënderbeu” duke nisur nga ora 17:00.
Në prag të kësaj sfide ka folur edhe trajneri i ekipit korçar, Ivan Gvozdenovic i cili përmendi dhe mungesat që ekipi i tij do të ketë në këtë sfidë.
"Jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe duam maksimumin. Vllaznia është një skuadër e fortë fizikisht, luan mirë në ajër, ka një tranzicion pozitiv të mirë. Unë kërkoj nga skuadra përqëndrim nga minuta e parë dhe deri tek e fundit dhe do të bëjmë presing lart", tha tekniku i Skënderbeut.
“Do na mungojë Pecani që ka një problem muskular, ndërsa Nikaj do të jetë gati për nesër. Vllaznia në krizë? Ajo mund të jetë në krizë vetëm për pikët, por sa e kam parë unë në dy ndeshjet e fundit ndaj Dinamos dhe Tiranës, nuk ka punë krize sepse luajnë mirë në fushë. Por ne shohim vetëm veten tonë dhe duhet të futemi në fushë për të fituar", shtoi më tej Gvozdenovic.