Egnatia dhe Vllaznia kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin e Rrogozhinës, përfundoi me shifrat 0-0. Pas këtij dueli ka folur "Lojtari i Ndeshjes", portieri i Egnatias, Mario Dajsinani.
“Mendoj se këtë trofe e meritonte dikush tjetër, Vllaznia nuk pati rast flagrant që unë ndërhyra, vetëm 2-3 herë për t’i dhënë qetësi ekipit. Mundohem gjithmonë që të bëj atë që thotë trajneri, e kërkon shumë lojën me këmbë, për të dalë nga porta si qendërmbrojtës i lirë. Mendoj se deri tani kam bërë mirë.
Presioni i merkatos? Të gjithë duam më të mirën për veten tonë dhe të ikim diku sa më larg. Ndonjëherë është çështje fati, e rëndësishme të punojmë dhe ta arrijmë një ditë.
Tension? Në pjesën e dytë ishim disi ashtu, ndoshta ngaqë e kërkonim me ngulm fitoren, mundësitë i kishim. Mendoj se erdhi pasi e donim fitoren me ngulm dhe tentuam të merrnim pak më shumë përsipër. Siç e thashë në fillim vetëm ato 2-3 momente për t’i dhënë qetësi ekipit. Mendoj se ndërhyva mirë.
Kartoni i kuq i Xhemajlit, kush ishte më afër topi ti apo Balaj? Nuk e di, mendova se do e kapte Xhemajli aty dhe doja që të tërhiqesha në portë. Pasi e kapi Xhemajli, topi erdhi tek unë. Me topin në ajër? Besoj se isha unë”, tha Dajsinani.
