Ledjo Tresa i ka dhënë zyrtarisht lamtumirën Laçit. Sulmuesi 20-vjeçar ka reaguar në rrjetet sociale, duke njoftuar largimin nga kurbinasit dhe siç dihet, pritet zyrtarizimi i tij te Elbasani.
Kujtojmë që në sezonin që lamë pas, talenti ishte fantastik me Laçin në Kategorinë e Parë, duke i ndihmuar të shpallen kampionë e të sigurojnë rikthimin në Superiore.
Tresa ia doli që të gjente rrugën e rrjetës në 7 raste. Gjithashtu, 20-vjeçari ka asistuar në 10 gola të tjerë, duke qenë padyshim një lider për “bardhezinjtë”.
REAGIMI:
Pas një rrugëtimi të mbushur me sfida, emocione dhe kujtime të bukura, ka ardhur momenti të mbyll kapitullin tim me ekipin e KF Laçi dhe të nis një sfidë të re në karrierën time.
Dua të shpreh falënderimet dhe mirënjohjen time më të sinqertë për ekipin, presidentin, stafin dhe tifozët, të cilët kanë qenë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit tim. Ka qenë një periudhë e mbushur me sfida, sakrifica dhe momente të paharrueshme, që kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen time profesionale dhe personale.
Jam krenar për gjithçka kemi arritur së bashku, mirënjohës për besimin dhe respektin që kam marrë gjatë gjithë kësaj periudhe. Çdo gjë që kemi kaluar bashkë do të mbetet gjithmonë një pjesë e veçantë e jetës sime. Falënderime për secilin prej jush që ishit pjesë e rrugëtimit tim. Ju uroj suksese dhe më të mirat në vazhdim.
