
Tirana prej javësh po kalon një krizë rezultatesh ku bardheblutë nuk kanë marrë atë që pretendonin në fillim të sezonit. Jemi në mesin e fazës së dytë dhe ekipi ndodhet në vendin e 3-të të renditjes plot 8 pikë larg kreut, e papranueshme për merkaton e zhvilluar në verë.
Në klub flitet për krizë psikologjike, mungesa, dëmtime, por mbi të gjitha, trajneri Julian Ahmataj ka vënë shpeshherë në dukje në konferenca se fusha është një faktor i rëndësishëm. Tirana prej fillimit të sezonit luan në ‘Selman Stërmasi’, ndryshe nga vitet e fundit ku shumicën e ndeshjeve i zhvilloi në ‘Air Albania’.
Ndoshta ky është një ndryshim që ka sjellë edhe pasoja te 26 herë kampionët e vendit. Në gjithë këto vite, ‘Selman Stërmasi’ zor se ka sjellë fat për bardheblutë, ndryshe nga ‘Air Albania’ ku janë fituar 2 tituj kampionë dhe 1 Superkupë.
Pas ndeshjeve të nëntorit, impianti i ‘Air Albanias’ do të jetë më në fund i lirë. Fusha u rinovua dhe pas shumë muajve, pritet të ndizet drita jeshile për të zhvilluar ndeshjet e Superiores. Me Partizanin që nuk ka arsye për t’u larguar nga ‘Arena e Demave’, impianti modern i kryeqytetit do të jetë ‘i gjithi’ për Tiranën.
Pas ndeshjes me Kukësin që bardheblutë do të zhvillojnë këtë të dielë, do të vijë ndaleza e Kombëtareve e më pas rikthimi në fushën e lojës pas 10 ditësh. A do të jetë kjo një pikë kthese për Tiranën? Mbetet ta shohim…