Një ditë pas humbjes ndaj Francës në Marsejë me rezultatin 2-0, vlerësime shumë të mira vijnë për Kombëtaren tonë nga ana e Presidentit Francez të Federatës së Futbollit Noel Le Graet.
Ai ka qenë i ftuar në ceremoninë e organizuar nga bashkia e qytezës së vogël në të cilin është akomoduar Kombëtarja në “Perros Guirec”, me rastin e 60-vjetorit të trajnerit De Biasi. Kreu i FFF-së tha se Kombëtarja shqiptare e fitoi Evropianin e saj.
“Ne luajtëm dje, me një skuadër shumë të mirë, e cila tregoi vlera futbolli. Shqipëria bëri një paraqitje të shkëlqyer dhe shpresoj që në ndeshjen e fundit të ecë përpara. Besoj se ju e keni fituar Europianin tuaj”, theksoi ai, sipas një njoftimi të publikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Dje ka qenë një ditë e veçantë për qytetin e Perros Guirec. Në Bashkinë e qytezës së vogël, në Bretange, është organizuar një ceremoni e thjeshtë por shumë kuptimplotë. Një delegacion zyrtar i Federatës Shqiptare të Futbollit, i përbërë nga Presidenti Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku, trajneri Gianni De Biasi, kapiteni Lorik Cana dhe drejtues të tjerë, janë pritur nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Perros Guirec, Erven Leon.
Pas fjalës nga të pranishmit, erdhi edhe moment i veçantë, “kur të ftuarit nëpërmjet një torte i uruan trajnerit Gianni De Biasi dhe këngës tradicionale, i uruan 60 vjetorin, trajnerit të Kombëtares.
Më herët, trajneri i Kombëtares De Biasi, u shpreh se dhurata që do të preferonte për ditëlindjen e tij do të ishte kualifikimi i Shqipërisë në ndeshjen me Rumaninë