
Futbollisti i Interit, Matteo Darmian ishte kapiten sonte në barazimin pa gola të zikaltërve përballë Real Sociedad. Një barazim që i kualifikon të dyja ekipet për në fazën tjetër, por me spanjollët kryesues. Mbrojtësi polivalent u shpreh krenar që mban shiritin dhe beson se asnjë nuk do të ketë dëshirë të përballet me ta.
"Krenari e madhe që mbaj shiritin e kapitenit, pa paragjykuar faktin që kapiteni ynë mbetet Lautaro. Kur luan për një klub si Interi është një krenari e madhe dhe gjithmonë dëshiron të arrish objektiva të caktuara”.
Një barazim që nuk mjafton për vendin e parë në grup.
“Real Sociedad bëri presion shumë mirë, me ritëm të madh. Kemi kundërpërgjigjur goditje për goditje, për fat të keq nuk arritëm të dilnim nga ngërçi. Ky barazim nuk do të na lejojë të përfundojmë në vendin e parë, por presim me optimizëm”.
A nuk ka frikë ky Inter të përballet me një ekip tjetër?
“Duhet të shohim përpara në një mënyrë pozitive, do të luajmë deri në minutën e fundit për të ecur përpara në Ligën e Kampionëve, edhe të tjerët nuk do të jenë të lumtur të përballen me ne.”