Kosova do të përballet mbërmjen e sotme me Turqinë, në kuadër të finales së madhe të “play-off” të Botërorit 2026. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, do të nisë në orën 20:45. Triumfi do të thotë “biletë” për në Kupën e Botës, e cila do të luhet këtë verë në 3 shtete, SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Ndërkohë që pak orë para kësaj ndeshje, Newsport.al ka bërë një analizë të shkurtër, duke renditur edhe arsyet se pse “Dardanët” do të mund të triumfojnë përballë turqve. Në një sfidë e cila është e gjitha për t’u shijuar, mësoni se përse Kosova mund të dalë nga stadiumi “Fadil Vokrri” me “fitoren në xhep” përballë ekipit përfaqësues turk.
10 arsyet pse Kosova fiton kundër Turqisë:
- Faktori fushë. Një ndeshje që luhet në Prishtinë dhe sigurisht është avantazh për ekipin pritës, duke i dhënë Kosovës një shtysë më shumë drejt triumfit.
- Mbështetja mbarëkombëtare. Me bileta apo pa bileta, qindra mijëra shqiptarë nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora, janë nisur drejt Prishtinës, për të mbështetur ekipin e drejtuar nga Franco Foda.
- Diferenca që bëhet nga lojtarët e stolit. Jemi mësuar që Kosova të tregojë cilësi, ndoshta ndonjëherë edhe më të larta kur bën zëvendësimet, duke treguar që edhe lojtarët e stolit janë në një nivel të lartë, duke sjellë konkurrencë për vendin e titullarit e duke dhuruar performanca optimale.
- Kryeministri Albin Kurti. Pas 500 mijë eurove që “korrën” pas fitores në Bratislavë përballë Sllovakisë, kryeministri Kurti u ka premtuar edhe 1 milionë euro të tjera, në rast se mposhtin Turqinë dhe “presin biletën” për në Botërorin 2026.
- E shkuara. Janë mposhtur 3 herë nga Turqia, ku 2 herë kanë qenë kualifikuese Botërori dhe 1 herë miqësore. Një motiv më shumë, që fitoren e parë përballë turqve ta marrin në një ndeshje me rëndësi të tillë dhe kaq historike.
- Mungesa e “yjeve” që s’luajnë në Real, Barcelona apo Inter nënvlerëson Kosovën. Por, kjo mund ta zhveshë ekipin e Franco Foda-s nga presioni, duke bërë që ekipi turk të “kapet mat” në mënyrë surprizuese.
- Trajneri Franco Foda. Tekniku ka implementuar idetë e tij, duke qenë i qartë me atë që kërkon në fushë, por edhe jashtë saj. Ana psikologjike duket të jetë “optimale”, gjë e parë qartë edhe në ndeshjet e fundit, duke treguar “dorën e vënë” nga trajneri Foda.
- Shteti. Një fitore në mbrëmjen e sotme do të thotë kualifikim në Kupën e Botës. Pra, një kualifikim që nuk do t’i bënte mirë Kosovës vetëm në anën futbollistike, por edhe në “reklamimin” e tyre si shtet para syve të të gjithë botës, përfshirë edhe ata që nuk e njohin ende si të pavarur.
- Prononcimet. Në prag të ndeshjes te Kosova janë treguar të matur, duke mos lënë asnjë hije dyshimi për entuziazëm, duke qëndruar me këmbë në tokë. Ndryshe në deklaratat e bëra nga futbollistët turq, pasi shumica prej tyre janë shprehur se janë “favoritë” në këtë ndeshje, duke hequr presionin nga ekipi dardan.
- Përfitimet nga FIFA. Një fitore historike që do të shoqërohej edhe me shuma marramendëse. Federata e Futbollit të Kosovës do t’i “rrëmbente” FIFA-s jo pak, por rreth 10 milionë euro për një pjesëmarrje të mundshme në Kupën e Botës 2026.
