
Nga Retin TOKA
Mund ta kishte menduar gjithmonë si një sfidë të vështirë, por asesi nuk e kishte çuar në mendje se do të kishte përballë të tillë situata te Partizani. Vera përvëluese kishte kaplosur kryeqytetin. Ishte data 10 gusht i vitit 2020. Temperaturat u çuan më lart nga presidenca e kuqe që vendosi të zyrtarizonte ndër më të mirët në Shqipëri, Ilir Dajën. Një nga trajnerët më me eksperiencë në vendin tonë kishte arritur akordin në parim prej muajsh me Partizanin dhe si një burrë i fjalës, erdhi të merrte timonin e 16-herë kampionëve të Shqipërisë. Olsi Rama e prezantoi si "blerjen" më të madhe të verës, presidenti Gaz Demi shkoi aq larg sa e nxorri në pension në ekipin e tij. Projektet ishin të mëdha, dëshira më e madhe se objektivat. Daja si një njeri i fushës kishte bërë kërkesën e parë: "Më jepni disa topa dhe fusha me bar natyral e pjesën tjetër ma leni mua në dorë".
Tifozët ishin të lumtur, pavarësisht se nuk arrinin ta kapërdinin faktin se Daja s'kishte luajtur kurrë me Partizanin. Besonin në aftësitë e tij. Edhe unë si ata, bindshmërisht e shihja ekipin e kuq për titull. Befas, në klub vjen një njoftim nga FIFA për bllokim merkatoje. Për Dajën ishte thjesht një lajm dhe asgjë më shumë. Ai ishte mësuar të punonte gjithmonë në vështirësi. Në klub të gjithë ngrinin supet dhe nuk kishin një shpjegim për situatën. Megjithatë, Iliri ishte mësuar të punonte i lirë dhe këtë herë do të tregonte më të mirën nga bagazhi i tij si trajner i Superligës shqiptare. Edicioni i ri futbollistik nisi dhe ai ndeshje pas ndeshje nuk tregonte objektin final, por mjaftohej duke thënë: "Partizani është klubi i madh. Dihen objektivat e tij". Po punonte intensivisht me organikën që kishte në dispozicion. Mblodhi kudo që ishin edhe lojtarët e huazuar.
Javët pasonin njëra-tjetrën, ndërsa Partizani e shihte veten në vendet e para të renditjes. Analistët nëpër studio u turrën t'i jepnin lëvdatat atij, ndërsa kishte dhe skeptikë: "Prit se kampionati është i gjatë". Përfundoi viti kalendarit dhe pas 13 javësh, ekipi i tij kishte grumbulluar 20 pikë. Në një periudhë të shkurtër arriti të injektonte te futbollistët stilin e tij të lojës. Një mini "tiki-taka" që s'ishte parë kurrë te Partizani. Ndër lojërat më të bukura të të kuqve prodhuar pikërisht nga i palodhshmi Ilir Daja. Në janar do të kishte sërish futboll sepse edicioni kishte nisur me vonesë për shkak të kapriçiove të Federatës Shqiptare të Futbollit. Nuk vonoi dhe vjen lajmi i bukur nga FIFA: Partizani mund të bënte afrime në këtë periudhë. Ilir Daja i kishte idetë e qarta dhe nuk donte të ndërhynte shumë në skuadër. Valentino Murataj ishte i vetmi që arriti t'i merrte një vend në formacionin titullar, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës ishte e njëjta.
Rivaliteti ishte i madh, por Partizani ishte një nga skuadrat kandidate potenciale për titull. Me Teutën dhe Vllazninë ishte luftë e fortë për trofeun e sezonit. Ndërhynte shpesh dhe Laçi, por kurbinasit kishin shumë ulje-ngritje. Në fund, kampionati u vendos vetëm nga një ndeshje. Partizani nuk ia doli të fitonte titullin kampion për vetëm 1 pikë. Megjithatë Daja e kishte fituar trofeun e tij. Lëvdatat për të ishin vetëm nga dashamirësit dhe presidenti Gaz Demi që në daljet e pakta publike i kishte besuar gjithçka 55-vjeçarit. "Mos u merrni me thashetheme. Me Dajën do jemi gjatë, do dalë në pension te ne", deklaronte kreu i klubit të Partizanit që shprehte hapur kënaqësinë për punën e strategut kryeqytetas.
Kupat e Europës kaluan shpejt dhe të kuqtë nuk arritën shumë. Puna e vërtetë do të ishte merkato e verës. Por, dhe në këtë periudhë s'pati zhvillime. Gjithçka u krye brenda 1 javë duke bërë shumë zyrtarizime njëherazi. Skuadra udhëtoi në fazën përgatitore e paplotë dhe rreth 60 përqind e lojtarëve të edicionit të shkuar u larguan. Me qetësinë që e karakterizon në lëvizje, Daja vijoi punën. Pritshmëritë në këtë sezon futbollistik ishin dhe janë të mëdha. Të kuqtë s'e nisën mirë me një gol të "falur" nga Alban Hoxha ndaj Teutës. Besimi ishte dhe vijon të jetë nga trajneri kryeqytetas. Ndoshta diçka duhej ta kishte bërë ndryshe në merkaton e verës, por të gjithë statistikat e nxjerrin fitues si "timonier". Ka arritur të implementojë manovrën e tij te Partizani duke e "futur topin në xhep", arrin ta nxjerrë skuadrën disa herë para portës kundërshtare, por mungon njeriu gol.
Pikët e lëna janë kryesisht për faj të gabimeve individuale. Daja s'e ka më kohën t'u mësojë disa lojtarëve "ABC"-në e futbollit. Mund të ketë mbi 20 vite që e ka bërë. Tashmë është në objektivin e tij është ndërtimi i një ekipi me aromë europiane. Dukshëm, fatin e ka kundër në këtë sezon. Ka nga ata që vlerësojnë punën e Dajës, por të tjerë tentojnë të trazojnë ambientin e kuq. Nëse pikët do të shkonin në një kah me lojën e zhvilluar, të gjithë do të mund të flisnin ndryshe për Partizanin dhe punën e trajnerit. Deklarata të pafundme, histori të sajuara pa ditur vërtetë se çfarë ndodh tek të kuqtë. Të larguar që mund të flasin kundër Dajës, edhe pse ndoshta dikur shpreheshin se kishin "konsideratat" më të larta për të. Shumë sponsorizime për t'i zënë vendin. Një kampion di të dorëzohet dhe këtë në një mënyrë ose tjetër e ka bërë. Por, është presidenti, është Gazi ai që beson më shumë se kushdo në aftësitë e këtij trajneri. Ai beson dhe vepron si të mos ekzistojë dështimi.
Ilir Daja ka fituar gjithçka në karrierën e tij. Nuk i pëlqen t'i përgjigjet atyre që në panelet sportive, në një karrike të rehatshme japin opinione nga më të ndryshmet pa e prishur terezinë aspak. Sajesa nga më të ndryshmet, 22 lojtarë kundër një trajneri. Por, a mund të ndodhë vërtetë një gjë e tillë në skuadrën e Gaz Demit? Të gjithë mund ta kenë një përgjigje, pa dashur ta shprehin publikisht. Nëse analistët kanë arritur të kapin nga një "vend" në panelet sportive, Daja ka arritur të zërë një të tillë në grupet e Europa League. Luajti dhe prodhoi miliona për futbollin shqiptar. Ai nuk ka dështuar as te Partizani e askund në karrierën e tij. Është momenti për ta lënë të punojë i qetë. Njerëzit nuk shqetësohen nga gjërat, por nga mendimi i tyre mbi gjërat. T'i ngremë kapelen për atë që ka bërë në futbollin shqiptar. Ai do t'ia dalë. Suksesi është distanca midis pikënisjes dhe rezultati përfundimtar!