
Pero Pejiç ishte një nga lojtarët më të përfolur në këtë merkato dimri. Sulmuesi i njohur kroat ishte pranë rikthimit në Shqipëri, por në momentet e fundit bëri "prapa-kthehu". Për të mësuar më shumë për të ardhmen e tij, newsport.al kontaktoi 35-vjeçarin.
Shtatlarti zbuloi se çfarë kishte ndodhur në këtë merkato dimri. Gjithashtu analizoi shkurtimisht Superioren, ndërsa në fund nuk mohoi dëshirën për t'u rikthyer në fund të sezonit në Shqipëri.
- Pejiç keni qenë një nga emrat për të përfolur në këtë merkato dimri. A mund të na thoni diçka konkrete?
Është e vërtetë që emri im ka qarkulluar prej kohësh , por unë mund t'iu them që jam pjesë e skuadrës së Slovan Bolupos. Kam një kontratë 18-mujore dhe do ta respektoj atë.
- Keni qenë për një vizitë në Shkodër. A mund të na zbuloni arsyen? Keni arritur ndonjë akord me Vllazninë apo çfarë?
Unë kam komunikuar me trajnerin e Vllaznisë, Ernest Gjokën. Nuk kam arritur asnjë lloj akordi, pasi klubi im nuk më la të lirë. Kisha ofertë edhe nga ish-klubi im në Iran. Ata donin në skuadër një sulmues dhe donin të më rikthenin. Por, sërish nuk më la klubi im.
- Ju jeni një njohës i rregullt i kampionatit shqiptar. Si e shihni Superioren?
Po, është e vërtetë që jam një njohës i mirë i kampionatit shqiptar, pasi kam luajtur me disa skuadra atje. Tani jam pjesë e Slovan Bolupos. Në Shqipëri, Skënderbeu po zhvillon një sezon të mirë. Edhe Flamurtari gjithashtu. Ndërsa Kukësi është pak më prapa. Megjithatë çdo gjë është e hapur për të, pasi janë edhe shumë pikë në lojë. Tashmë Kukësi ka marrë një trajner si Pakult dhe loja e tyre do të vijë duke u rritur.
- A beson se Kukësi do të jetë skuadra që do të ndalë hovin e korçarëve?
Siç e thashë edhe më lart, janë edhe shumë pikë në lojë. Kështu që ata i kanë të gjitha mundësitë.
- Po Partizanin e ke ndjekur? Shumë ndryshime nga ish-rivali juaj i sezonit të shkuar...
Partizani nuk është aspak i stabilizuar në këtë sezon. Ata kanë humbur shumë ndeshje dhe kur humb, kjo nuk është normale për një klub të mirë.
- Flamurtari është surpriza e këtij sezoni. Ç'mund të thoni për trajnerin Shpëtim Duro?
Po, e vërtetë. Flamurtari është surpriza e këtij sezoni. Ata kanë një trajner të mirë si Shpëtim Duro që ka bërë një punë të mrekullueshme. Këtë sezon Flamurtari ka lojtarë të mirë. Dua të veçoj Tomislav Bushiç që po shënon në çdo ndeshje dhe kjo është e rëndësishme për një klub që të shpallet kampion.
- Nesër luhet Tirana - Kukësi. Si një "ish" i kësaj sfide, cilën skuadër zgjedh fituese?
Tirana po luan në Kategori të Parë, por ka një skuadër të mirë. Tirana është Tirana dhe ndeshja e nesërme do të jetë si një derbi. Unë mendoj se Kukësi ka më shumë mundësi për të fituar, megjithatë t'ia lëmë fushës nesër që të japë verdiktin final.
- E fundit! Do të riktheheni në Shqipëri?
Unë ndihem mirë dhe trupi gjithashtu dëshiron të luajë sa më shumë. Mendoj se mund të luaj sërish. Nëse do të kem një ofertë të mirë, pse jo? Mund të rikthehem! /Retin TOKA/