
Egnatia vazhdon intensivisht përgatitjet për duelin me Skënderbeun, takim që do të luhet ditën e nesërme në orën 13:30. Ky takim do të zhvillohet në “Egnatia Arena” dhe rrogozhinasit janë të ‘dënuar” vetëm për fitoren.
Skuadra e udhëhequr nga Edlir Tetova do të synojë rikthimin te 3 pikët në kampionat dhe për të mbajtur rivalën larg, teksa ditën e djeshme në stërvitje ishte i pranishëm edhe Agim Demrozi. Kreu i rrogozhinasve ka zbritur në fushë për të parë nga afër përgatitjet e skuadrës.
Bëhet me dije se kreu i klubit ka qëndruar për rreth 85 minuta në fushë, ndërsa ekipi vazhdonte stërvitjen për duelin me korçarët. Gjithashtu bashkë me Demrozin ishte i pranishëm edhe drejtori sportiv i skuadrës, Klejdi Zenelaj.