
Xhuliano Skuka është golashënuesi i fundit, me të cilin tifozët e Partizanit u lidhën për t'i besuar qendrën e sulmit. Ai i shpërbleu, duke shënuar ndaj të gjitha skuadrave të Superiores në 1 vit. Madje disave dy apo tri herë, ndër të cilat ishte dhe Tirana.
Golin e fundit në kampionatin shqiptar, para se të largohej, e kishte ruajtur pikërisht për bardheblutë. Partizani fitonte minimalisht 0 me 1. Ajo rrjetë e shënuar dhjetorin e kaluar, i dha Partizanit triumfin e parë për derbi në stadiumin "Air Albania".
Dje, një vit më vonë, shënoi Albers Keko. Sërish kundër Tiranës. Skuka e përshëndeti realizimin përmes rrjeteve sociale, si gol të ngjashëm me të vetin. Dhe pse vlera jo e njëjtë me atë të Skukës që solli titullin kampion, rëndësia po.
Partizani qëndron mbi 1 vit i pamposhtur në derbin e kryeqytetit. Pesë ndeshje të luajtura, ku tri janë fitore. Këto statistika janë arsyeja përse ai gol në minutën e 79', kur Partizani po provonte pa shumë shpresa, ka shumë rëndësi.
Keko që i dha Partizanit barazimin 1 me 1 disa minuta para fundit, ka lindur po në gusht si Skuka. Është 22 vjeç dhe shihet si element për të ardhmen. Ekzaktësisht në të njëjtën gjatësi 1.85 dhe i afruar nga Korabi i Kategorisë së Parë ku doli Skuka, Keko të jep të njëjtin përfytyrim me fanellën e 17-herë kampionëve veshur.
Pa nisur asnjë sfidë titullar, Kekos nëse i mblidhen minutat, dalin sa për 3 ndeshje të plota. Me pak hapësirë, dy herë ka asistuar duke marrë fitoren në limite. Herën e parë me Tiranën në derbi dhe pastaj me Laçin në transfertë. I ka shënuar po ashtu Teutës në fund, duke fituar 1 me 0. Golat dhe asistet e tij të kujtojnë Skukën, që i kishte thuajse gjithmonë me vlerë fitoreje.
Këto janë sinjale për të menduar se ndoshta ka ardhur momenti, që dhe Kekos t'i besohen më shumë minuta. Tifozët e duan sepse ai po bën tashmë si Skuka për Partizanin. /Emanuel Loci/