
Merkato e janarit ka ulur siparin mesnatën e 31 janarit, me shumë skuadra që janë munduar të lëvizin sa më shumë për të përforcuar skuadrën për pjesën e mbetur të sezonit. Të shumta kanë qënë edhe transferimet në Kategorinë Superiore, ku rekordin e mban padiskutim Kastrioti.
Krutanët kanë kryer plot 24 lëvizje në vetëm pak ditë, ku thuajse ka larguar një skuadër për të sjellë një tjetër. Brunild Pepa, Edison Ndreca, Armando Rami, Kleo Fejzaj, Adolf Selmani, Johan Beçka, Amarildo Çekrezi, Erlind Koreshi, Kingsley Ogbodike, Edy Nikolas Bojom, Arlind Kalaja dhe Agim Guni janë vendosur menjëherë nën urdhërat e Bledar Devollit, ndërkohë që "derën" e panë futbollist si Aleksandros Rrahim, Pablo Galego, Tabort Preston, Mba Duval, Adolf Nkembe, Klajdi Kuka, Sokol Mziu, Vilson Lila, Xhynejt Çutra, David Domgjoni, Çarls Atsina dhe Nikola Stijepoviç.
Lëvizje që mund të shkaktojnë probleme te një skuadër që po lufton për mbijetesë këtë sezon të Superiores, por Kastrioti i këtij sezoni do të mbahet mend edhe për këtë rekord, i mjaftueshëm për "Guinnes".