
Pas çdo stuhie lind dielli. E kjo shprehje zë vend për një nga lojtarët që premton shumë, por deri më tani fati nuk ka qenë me të. Bëhet fjalë për Kleandro Lleshin, 21-vjeçarin i cili është pjesë e Cartagenës në La Liga 2. Këto muaj kanë qenë me shumë peripeci për mesfushorin shqiptar. Fillimisht COVID-19 e la dy javë jashtë fushave, ndërsa më vonë pësoi dëmtim muskulor duke qëndruar për shumë kohë në infermieri.
Ai nuk u dorëzua, përkundrazi ëndrra që një ditë të jetë në majën e futbollit europian, por pse jo edhe pjesë e kuqezinjve, bëri që të sonte të ishte sërish në fushë. Cartagena luajti kundër Alcorcon, ndeshje që përfundoi me shifrat 2-1 në favor të skuadrës së Lleshit. 21-vjeçari u rikthye pas shumë javësh në fushë duke provuar shijen e një ndeshje zyrtare. Ai u aktivizua në fundin e ndeshjes dhe dëshira për të dhënë maksimumin bëri që shqiptari të ndëshkohej edhe me karton të verdhë.
I njohur në gjuhën sportive, si "diga" para mbrojtjes, Lleshi shihet si një nga futbollistët e së ardhmes. Karriera e tij ka nisur në Shqipëri, por më vonë është transferuar në Spanjë në moshë të re. Nga Leganes B, ai provoi disa muaj të luante në Belenenses për t'u rikthyer sërish te Leganes. Minutat e pakta e detyruan që të zgjidhte sërish një aventurë të re duke provuar fanelën Recreativo Huelves. Së fundmi, 21-vjeçari është transferuar te Cartagena, skuadër me të cilën pritet të rritet për të bërë hapin e madh drejt kalimit në La Liga.