
Mëngjesin e sotëm, lajmi për vdekjen e Diogo Jotës tronditi të gjithë botën e futbollit. Ish-sulmuesi i Liverpoolit dhe kombëtares portugeze mbylli sytë përgjithmonë si pasojë e një aksidenti automobilistik në Spanjë.
Së bashku me 28-vjeçarin pasagjer në automjet ishte dhe i vëllai, i cili pati të njëjtin fat tragjik. Padyshim ndarja nga jeta e Diogo Jotës ka hidhëruar në zemër të gjithë botën e sportit dhe tifozët e të gjitha ekipeve.
Por kush ishte Diogo Jota? Gjatë gjithë karrierës së tij futbollistike, sulmuesi portugez shquhej për talentin e tij, disiplinën dhe një njeri që kurrë nuk krijonte konfilkte. Jota e nisi karrierën e tij me një ëndërr të madhe, të ngjitej në majat e futbollit botëror.

Në të ftohtin e 20 shkurtit të vitit 2015, djaloshi 18-vjeçar bëri debutimin e tij në futbollin profesionist me fanellën e Pacos de Ferreira. Në klubin portugez, Jota qëndroi për dy vite ku regjistroi 41 paraqitje dhe arriti të shënojë 14 gola.

Në vitin 2016, Diogo Jota bëri një “kërcim” të madh duke u transferuar tek Atletico Madrid për 7 milionë euro. Megjithatë, i ndjeri nuk e mori kurrë besimin e trajnerit Diego Simeone, duke u huazuar tek Porto në sezonin 2016/17 ku shënoi tetë gola në 27 paraqitje. Ndërsa në sezonin 2017/18 u bë pjesë e Ëolves sërish si i huazuar, duke arritur 17 rrjeta të prekura në 44 takime të luajtura.
Sërish nuk e pati besimin në kryeqytetin e Spanjës, duke bërë kështu që Jota të transferohej përfundimisht Wolves për 14 milionë euro në vitin 2018. Ish-sulmuesi portugez u bë një lojtar tepër themelor në fushë për “ujqërit” duke qëndruar aty për dy vite.

Një ëndërr e madhe e realizuar e Diogo Jotës, ishte debutimi me kombëtaren e Portugalisë në nëntor të vitit 2019, ku të kuqtë mposhtnin Lituaninë me shifrat 6-0.
“Trampolinën” e madhe, Diogo Jota e mori në vitin 2020, ku u vëzhgua nga Jurgen Klopp. Kjo bëri që Liverpool të paguante 44.7 milionë euro për të transferuar yllin e Wolves në atë periudhë, një dëshirë e madhe e trajnerit gjerman.

Mosaktivizimi për asnjë minutë të vetme tek Atletico Madrid dhe zhgënjimi i tij, u shpërblyen duke realizuar një ëndërr të madhe të Jotës, duke u bërë pjesë e “The Reds”. Menjëherë pas transferimit të tij në Liverpool, portugezi ishte në planet e trajnerit Jurgen Klopp.
Debutimin e tij me gjigantin e Premier League, Jota e bëri në shtatorin e vitit 2020 ku Jurgen Klopp i besoi cilësive të tij. Deri në ndarjen nga jeta të tij, portugezi ishte një ndër sulmuesit kryesorë te Liverpooli, po ashtu edhe në Premier League.

Spektakli që ai dhuronte dhe ritmi në fushën e blertë, u përkthyen në rezultate të kënaqshme për “The Reds”. Në 182 ndeshje të zhvilluara me Liverpool, Diogo Jota arriti të shënojë 61 gola dhe 26 asiste.
Sezoni i fundit me klubin britanik ishte fantastik për portugezin, duke u kurorëzuar si kampionë të Anglisë. Por jo vetëm me skuadrën e tij, Jota arriti majat edhe me kombëtaren portugeze.
Në 49 paraqitje me “Selessao”, sulmuesi realizoi 14 gola. Gjithashtu, fitoi dy trofe të Ligës së Kombeve, i fundit më datë 8 qershor ku triumfuan ndaj Spanjës në finale.
Aksidenti automobilistik në Spanjë, i la Diogo Jotës përgjysmë atë që dashuronte të bënte, të luante futboll.