Partizani është një prej ekipeve pretendeten për të fituar titullin kampion. Demat aktualisht mbajnë vendin e dytë në tabelën e klasifikimit me 35 pikë pas 19 javësh, ndërsa ndodhen 5 pikë larg Egnatias kryesuese.
Dueli i radhës për të kuqtë është ndaj Laçit në “Arenën e Demave”, sfidë që do të luhet ditën e shtunë dhe është e vlefshme për javën e 20-të të Superiores. Për kryeqytetasit do të vazhdojë “ferri” pasi kanë një kalendar të vështirë për javët në vazhdim.
Menjëherë pas kurbinasve, kampionët aktualë do të duelojnë në mesjavë me Apoloninë në Kupën e Shqipërisë . Ndërkohë sërish në fundjavë do të matin forcat me Vllazninë në “Loro Boriçi”.
Pas shkodranëve do të duelojnë me Egnatian më pas janë derbet me Dinamon dhe Tiranën. Një “malore” e vërtetë për Orges Shehin, i cili duhet të mbledhë forcat për të përballuar përballjet me rivalët që janë pretendentë për titullin dhe “Final – Four”.
Në të gjitha këto takime Partizani do të kërkojnë maksimumin e pikëve për të bërë të mundur që të ‘blindojë’ pozitat në klasifikim dhe pse jo të rimarrë kreun e renditjes. Ndërkohë Shehi dhe stafi i tij shpresojnë që të kenë të plotë grupin e lojtarëve për të mos i vështirësuar akoma më shumë gjërat.