Tirana ka marrë qendrën e vëmendjes në merkato me afrimin e bujshëm të Regi Lushkjes që pritet të zyrtarizohet nga momenti në moment. Titulli kampion është një objektiv i “zakonshëm” për bardheblutë dhe vendi i dytë, 4 pikë larg Partizanit konsiderohet shumë nga drejtuesit. Ndaj, puna në merkato vazhdon për përforcimin e ekipit.
Mirëpo, nuk ka vetëm afrime, pasi Tirana po punon për mbylljen e kontratës me dy lojtarë. Lukman Hussein dhe Arbër Bytyçi pritet të ndajnë rrugët me kampionët. Të dy lojtarët kanë të njëjtat karakteristika teksa luajnë si në mesfushë edhe në krahët e mbrojtjes, Hussen djathtas ndërsa Bytyçi majtas.
Hussein erdhi në merkton e verës nga Kastrioti ndërsa Bytyçi la Laçin për Tiranën sezonin e shkuar. Mungesa e minutave dhe konkurenca e fortë ka bërë që lojtarët të shohin tjetërkund për të vazhduar karrierën e tyre.