
Edy Reja është larguar nga drejtimi i kombëtares shqiptare. Përfundimi i kontratës së italianit solli edhe fundin e bashkëpunimit. Shumë emra për pankinën kanë dalë në qarkullim, megjithatë Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka zyrtarizuar asgjë.
Presidenti Armand Duka në një dalje televizive la të kuptohet se trajneri i ri mund të jetë kushdo që ka përvojën dhe cilësitë e duhura për të qenë në krye të kuqezinjve. Por nuk specifikoi emra zyrtarë. Kjo javë pritet të jetë vendimtare për trajnerin e ri të Kombëtares.
Ka qenë po vetë presidenti që ka zbuluar se ai do ta zgjidhet deri në fund të këtij viti. Dhe siç mësohet një gjë e tillë, pritet të bëhet para datës 25 dhjetor, që përkon me Krishtlindjet.
Interesi është i madh për të mësuar se kush do të jetë ai që do të pasojë Edy Rejën. Lojtarët dhe cilësitë në Kombëtare nuk mungojnë. Tanimë duhet vetëm një "arkitekt" i zoti për ta çuar drejt suksesit.