
Janë luajtur të gjitha ndeshjet e javës së 4-të të Kategorisë Superiore. Edhe këtë javë nuk munguan surprizat e shumta me Bylisin që mund Kukësin dhe Laçi mund Partizanin. Tirana vazhdon marshimin në krye e vetme, ndërsa Teuta edhe pse me një lojtarë më shumë ndaj Vllaznisë nuk arriti të fitonte. Trajneri Marantas debutoi me fitore te Luftëtari duke mund një rival direkt si Flamurtari. Newsport.al ju sjell edhe formacionin më të mirë të javës së 4-të.
Hidi: 4 ndeshje 2 gola dhe është portier. Gardiani i Bylisit shënon sërishp, pas Skënderbeut ishte radha e Kukësit. Nga penalltia Hidi tregohet i saktë duke barazuar ndeshjen. Por jo vetëm goli i shënuar, por portieri me mjaft eksperiencë shpëton skuadrën e tij nga disa raste të pastra dhe mban Bylisin në lojë që në minutat e fundit shënoi golin e fitore me Muratajn.
Hoxhallari: Një ndeshje mjaft pozitive për mbrojtësin e majtë. Hoxhallari ishte i kudondodhur ndaj Skënderbeut duke qenë një rrezik konstant në krahun e tij. Shërben shumë krosa për shokët e skuadrës dhe në fund shpërblehet me gol që ishte edhe goli qetësisë për Tiranën.
Ignjatovic: Qendërmbrojtësi i Laçi ishte në një ditë të mirë sot ndaj Partizanit. Një siguri në prapavijën laçiane dhe shumë i saktë me ndërhyrjet e tij. Partizani e kishte shumë të vështirë të derportonte në zonë e Laçit dhe një meritë e kishte edhe Ignjatovic.
Malota: Vllaznia nuk fiton, por një merr një pikë jetike ndaj Teutës në transfertë dhe për shumë minuta me 10 lojtarë. Malota ishte një siguri në prapavijën shkodrane dhe arriti të shpëtonte disa skuadrën e tij nga aksionet e rrezikshme të Teutës. Mbrojtësi ka mjaft eksperiencë edhe këtë po e tregon pothuajse në çdo ndeshje.
Ymeraliaj: Në krahun e djathtë ishte i papërmbajtshëm. Bllokon si Abazajn, por edhe Gavazajnë që ndryshojnë shpeshherë krahët. Ndërmerr disa herë aksione sulmuese dhe kroson për shokët e skuadrës. Një ndeshje mjaft pozitive në takimin e sotëm ndaj Kukësit ashtu si Bylisi që merr fitoren e dytë radhazi përballë dy ekipeve si Kukësi dhe Skënderbeu.
Limaj: Kukësi nuk ishte në një ditë të mirë sot ndaj Bylsit. Mesfushori ishte një nga lojtarët më të mirë për verilindorët dhe tregon edhe njëherë formën e mirë që po kalon. Shënon një supergol nga faulli dhe kalon në epërsi skuadrën e tij.
Lushkja: Një nga lojtarët më me eksperiencë te Laçi. Vrapon, bën presing dhe provon shumë herë nga distanca. Në fund shpërblehet me një supergol që për më tepër kishte vlerën e 3 pikëve.
Fili: Një nga të mbijetuarit e sezonit të kaluar te Luftëtari. Ka marrë përsipër skuadrën dhe e bën më së miri. Sulmuesi fierak ishte i papërmbajtshëm ndaj Flamurtarit duke shënuar dy gola. Vrapon gjatë gjithë ndeshjes dhe në minutën e fundit shënon një gol shumë të rëndësishëm për skuadrën e tij që merr 3 pikët e para në kampionat.
Halili: Këtë herë e nis ndeshjen nga stoli për shkak të disa problemeve shëndetësore. Është njeriu i momentit te Tirana pasi në 4 ndeshje ka shënuar 3 gola me shumë peshë dhe që i kanë dhënë bardhebluve pikë për t'u renditur të parët në klasifikim. Futet në pjesën e dytë në fushën e lojës dhe shënon golin e avantazhit për Tiranën. Një gol që konfirmon edhe njëherë formën e mirë që po kalon.
Ngoo: Sulmuesi i Tiranës rikthehet sërish protagonist duke shënuar golin e parë të ndeshjes ndaj Skënderbeut. Është gjithmonë një rrezik për mbrojtjen korçare sa herë prek topin. Goli i shënuar ishte padyshim dhe një meritë e tij pasi ndjek deri në fund aksion dhe fal gafës së Koliçit e dërgon topin në rrjetë.
Murataj: Kapiteni i Bylisit i bën të gjitha në ndeshjen e sotme ndaj Kukësit. Gol, kartoni i kuq, por në fund i jep 3 pikë skuadrës së tij. Edhe pse në moshë fare të re në Ballsh i kanë besuar shiritin e kapitenit. Është gjithmonë prezent në sulmet e Bylisit dhe në fund dërgon në zonë një kros që për fatin e tij të mirë nuk preket nga askush dhe shkon në rrjetë. Një gol që i jep 3 pikët e radhës Bylisit përballë një kundërshtari të fortë si Kukësi. Merr një kartonë të kuq të evitueshëm dhe do të jetë mungesa e madhe e Bylisit për ndeshjen e radhës.
Trajner Dovedan: Pas fitores ndaj Skënderbeut, Bylisi fiton edhe ndaj Kukësit pretendent për titullin kampion. Dy ndeshjet e fundit, dy fitore përballë dy skuadrave me emër në Kategorinë Superiore dhe asnjë nuk është rastësi. E vendos mirë skuadrën në fushë, bllokon Kukësin në daljet e tyre dhe në fund merr një fitore me shumë meritë.