Janë luajtur 18 javët e para të Superligës për të mbyllur në këtë mënyrë gjysmën e parë të kampionatit. Newsport.al ka përzgjedhur më të mirët e pjesës së parë të sezonit.
Duke nisur nga porta, Alban Hoxha ka bërë një gjysmë sezoni deri tani, fantastik. Në 18 ndeshje, Partizani ka pësuar vetëm 5 gola dhe për këtë, meritë përveç mbrojtjes ka pa diskutim edhe kapiteni i të kuqve.
Në mbrojtje, Shameti i Kukësit, Atanda i Partizanit dhe Hoxhallari i Tiranës kanë spikatur më shumë në krahasim me kolegët e tyre.
Ndërkohë në mesfushë, në krahun e djathtë është Afrim Taku, golashënuesi i Tiranës me 7 gola, por edhe Merveil, zbulimi i sezonit, i cili ka mahnitur me paraqitjet e tij te bardheblutë.
Donjet Shkodra i Flamurtarit dhe Lorenc Trashi i Partizanit plotësojnë 4-shen e repartit të mesfushës duke qenë vendimtarë për skuadrat e tyre në 18 ndeshjet e para të këtij sezoni të Superligës.
Në sulm, Kaleb Ekuban është “lokomotiva” e Partizanit. Absolutisht një sulmues klasi dhe një golashënues që ka fituar zemrat e tifozëve të kuq.

Pero Pejiç nuk ndryshon, ndërsa mosha e kroatit është thjesht një numër. 34-vjeçari kryeson listën e golashënuesve të Superligës me 11 gola në 18 ndeshje duke qenë një nga “armët” më të forta të Kukësit që e mbylli si kampion dimri.
11-shen më të mirë e plotëson Liridon Latifi. Skënderbeu nuk ka shkëlqyer në këtë pjesë të parë të sezonit, por 22-vjeçari ka qenë lojtari që i ka dhënë impuls lojës së korçarëve duke qenë një nga më të mirët në fushën e lojës.
Për sa i përket trajnerit më të mirë në pjesën e parë të sezonit, absolutisht që është Ernest Gjoka. Trajner i Kukësit ka krijuar një ekip që nuk di të humbë, pasi nuk njeh asnjë disfatë në 18 ndeshje, ndërsa verilindorët e mbyllën si kampionë dimri.
Formacioni (3-4-3)
Alban Hoxha
Shameti Atanda Hoxhallari
Taku Shkodra Merveil Trashi
Ekuban Pejiç Latifi
Trajner: Ernest Gjoka