Kyrian Nwabueze i ka dhënë fund aventurës te skuadra e Laçit. Sulmuesi i njohur me pasaportë amerikane ka prerë biletën për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mësohet se ditët e fundit, ai ka pasur probleme shëndetësore. 27-vjeçari ka ndjerë dhimbje të forta koke dhe kjo e ka detyruar të shkojë në spital për një kontroll të detajuar.
Nga ekzaminimet ka rezultuar se potenti i sulmit kishte probleme me disa vena gjaku në kokë. Fati i tij i mirë që është kapur në kohë se në të kundërt pasojat do të ishin të rënda. Ai i është nënshtruar një operacioni në kokë për të rikuperuar venat e dëmtuara.
Nga sa bëhet me dije nga Ylli Aga, shpenzimet janë mbuluar totalisht nga klubi i Laçit. Kësisoj, kampionati shqiptar humb një lojtar cilësor si Nwabueze që me gjasë mund t’i ketë dhënë fund edhe futbollit të luajtur. Më parë ai është përfolur në media për problemet kardiake, ndërsa së fundmi i është nënshtruar një operacioni të vështirë në kokë.