Egnatia është prej disa ditësh në kërkim të trajnerit të ri. Skuadra rrogozhinase shkarkoi Gugash Maganin, ndërsa tani ka nisur bisedimet për të gjetur “timonierin” e ri.
Gjatë ditëve të fundit janë përfolur shumë emra, por Egnatia ka gjetur akordin me Zekirija Ramadanin. 43-vjeçari ishte i pranishëm ditën e djeshme në “Arena Egnatia” për të parë nga afër sfidën ndaj Tiranës që u mbyll me rezultatin 0-2 për bardheblutë.
Ramadani ishte pjesë e Prishtinës, por pas rezultateve jo të mira u shkarkua nga klubi kosovar. Tashmë, ai do të rikthehet sërish në stol e këtë herë në Superligën e Shqipërisë. Ramadani nuk është një emër i panjohur për futbollin shqiptar pasi disa sezone më parë ka drejtuar Flamurtarin dhe tani pritet të zyrtarizohet në stolin e Egnatias.
