Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

INTERVISTA/ Rubin Hebaj, talenti shkodran rrëfen aventurën sllovene dhe parashikon Superligën: Vllaznia nuk braktiset nga tifozët, ja kush bie nga Kategoria

Shkruar nga NEWSPORT
INTERVISTA/ Rubin Hebaj, talenti shkodran rrëfen aventurën sllovene

Vjet ishte pjesë e Vllaznisë së Shkodrës, por në merkaton e verës ai nuk mund t'i shpëtonte "grepave" të ekipeve europiane. Rubin Hebaj, vetëm 19-vjeç dhe arriti të spikaste me fanelën shkodrane. Sezonin e shkuar shënoi 4 gola duke bindur në fushën e blertë me potencialin dhe cilësitë e treguara.

Sot, ai është pjesë e ekipit slloven, Domzales, dhe në këtë start ka shënuar 2 gola. 19-vjeçari i talentuar ka dhënë një intervistë ekskluzive për newsport.al ku ka zbuluar aventurën sllovene, por gjithashtu nuk mund  të linte pa përmendur Superligën së bashku me ekipin e tij të zemrës, Vllazninë. Rubini zbulon ëndrrën e tij dhe parashikon fundin e këtij edicioni në kampionatin shqiptar.

Intervistoi: Retin Toka

- Rubin si po shkon aventura juaj në Slloveni?

Shumë mirë. Të them të drejtën, më mirë se sa e prisja. Dalëngadalë po marr minutat e duhura.

- Je ambientuar me skuadrën sllovene?

Po, që në fillim. Duke qenë se jam lojtar i ri, u habita se më pritën mirë të gjithë.

- Ku e shikon veten në të ardhmen? Do të vijosh të jesh pjesë e Domzales?

Të them të drejtën nuk e di. Nuk kam ndonjë plan konkret. Për momentin dua të jap maksimumin tim këtu ku jam. Skuadrën në të cilën bëj pjesë e shoh si trampolinë për t'u transferuar në një ekip europian.

- Me pak sakrificë dhe fat mund t'ia arrini...

Është e vërtetë. Më duhet shumë punë që të arrij të bie në sy nëpër klube europiane. Megjithatë bashkë me punën, edhe fati ka pjesën e tij. Uroj që të më realizohen.

- Jeni vetëm 19-vjeç dhe u transferuat në një skuadër europiane. Një shenjë e mirë kjo për të ardhmen...

Unë e kam pasur futbollin pasion që i vogël. Me fanelën e Vllaznisë luaja me shpirt. Jam lindur dhe rritur në Shkodër dhe ajo skuadër është gjithmonë në zemrën time. Pra edhe Vllaznia ka ndikuar pozitivisht në karrierën time.

- I keni ndjekur zhvillimet e fundit në Shkodër?

Kam ndjekur kampionatin shqiptar në përgjithësi. Të gjithë çunat e rinj që stërviten fort, do të shpërblehen një ditë. Vllazninë e shof në çdo ndeshje. Më vjen keq që humbi në Shkodër sepse ishte dhe atmosfera shumë e mirë nga tifozët. Por, besoj se me kalimin e javëve do të bëjë shumë mirë sepse këtë vit Vllaznia ka një skuadër shumë solider në të 3 repartet.

- A do të sjellë kjo humbje bojkotin e tifozëve shkodranë?

Besoj që tifozët duhet t'i rrinë skuadrës pranë sepse Shkodra ka nevojë për fitoret që po mungojnë prej vitesh. Me ndjenjën që kam provuar ndeshjen e fundit kundër Tiranës, besoj që tifozët kanë një rol shumë të rëndësishëm në "Loro Boriçi". Mendoj se ata do të jenë aty, për ekipin e Vllaznisë.

- Si e sheh Rubini Vllazninë e këtij sezoni?

Mund të them që do të renditet nga mesi i tabelës e lart. Nuk besoj që do të përsëritet historia e vitit të kaluar. Me pak më shumë besim në vete, me guxim dhe organizim, Vllaznia ka shumë fuqi si ekip. Mund t'i marrin pikë edhe ekipeve më të mira në Shqipëri. As vetë nuk do të doja ta shihja më ashtu... (Qesh)

- Do të riktheheshit për ta shpëtuar nëse ndodh?

Gjithmonë, në çdo moment, kudo që do të jem.

- Si e parashikon këtë edicion të Superligës?

Superliga është bërë një kampionat shumë i fortë. Diferencat janë shumë të vogla. Kjo u pa edhe vitin e shkuar, ku 5-6 ekipe luftonin për mbijetesën dhe Europën.

Për titullin do të jetë luftë shumë e fortë dhe besoj se do të vendoset vetëm në javët e fundit ashtu siç ndodhi vjet.

- Po ekipet që zbresin?

Nuk mund ta parashikoj, pasi të gjitha ekipet kanë kualitet brenda tyre.

- Mund të na zbulosh ëndrrën tënde?

Dua të jem pjesë e Kombëtares dhe të shënoj sa më shumë gola. Gjithashtu në një të ardhme, dua të jem pjesë e skuadrave europiane me emër.

 

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga