Emiljano Musta është kthyer në një ndër lojtarët më të rëndësishëm te ekipi i Flamurtarit. Elbasanasi ka bërë paraqitje mjaft të mira këtë sezon me vlonjatët, teksa ka shënuar dhe gola.
Këtë javë, Flamurtari do të luajë kundër Partizanit, që është dhe ish-ekipi i Mustës.
Në një intervistë për Newsport.al, futbollisti flet për gjendjen aktuale të Flamurtarit, objektivat, Elbasanin, si dhe në fund flet për të ardhmen e tij.
- Emiljano si është gjendja e ekipit para ndeshjes me Partizanin?
Ekipi vjen pas disa rezultateve jo të mira dhe normalisht që ndjehet pak mërzitja. Pas një kampionati relativisht të mirë që kemi zhvilluar këtë vit erdhën disa ndeshje negative radhazi. Gjithsesi, besoj se e kemi lënë pas momentin negativ. Ndaj Partizanit jam i bindur që do kthehemi te fitorja sepse i dimë kapacitet që ekipi ynë zotëron.
- A e shihni Partizanin si një kundërshtar direkt për Kupat e Europës?
Në momentin ku ka arritur kampionati, nga Kamza e deri te Kukësi, të gjithë janë kundërshtarë direkt për Europën. Prandaj duhet të jemi të përqëndruar te çdo ndeshje për të marrë rezultate pozitive.
-Po personalisht keni ndonjë emocion që viheni përballë Partizanit, pasi keni kaluar një vit te klubi i kuq?
E vertetë që kam kaluar një sezon te ekipi i Partizanit, por nuk kam ndonjë emocion të veçantë. Për mua është thjesht ndeshja e radhës.
- Cilat janë objektivat e Flamurtarit për këtë sezon?
Duke parë ecurinë e deri tanishme, do mundohemi deri në fund të kampionatit të jemi në 3-shen e parë të tabelës.
- Kë shihni si ekipin favorit për titull në Shqipëri, po si më të dobëtin?
Besoj se pak a shumë është bërë ndarja për titullin kampion, pasi Skënderbeu është shkëputur ndjeshëm.
Në zonën e ftohtë, mendoj se do të luftojnë fortë Teuta dhe Vllaznia, por nuk përjashtohet mundësia që rrugës t'i bashkohet dhe një ekip tjetër, pasi Lushnja e ka prerë biletën për në Kategorinë e Parë.
- Po ish-ekipin tuaj, Elbasanin e keni ndjekur? Iu merr malli për periudhën që keni luajtur me ekipin e vendlindjes?
Normalisht që e ndjek pasi është ekipi i zemrës dhe me vjen keq që ndodhet në atë gjendje. Shpresoj që shumë shpejt të kthehet aty ku i ka hije pasi është ekip me tradita në futbollin shqiptar.
-Ku e shihni të ardhmen tuaj? Në rast të një oferte nga jashtë vendit do largoheshit?
Momentalisht ndjehem mjaft mirë te Flamurtari pasi kam gjetur një ambjent mjaft të ngrohtë dhe jemi si një familje. Por në fund të sezonit jam futbollist i lirë dhe të ardhmes në futboll s'i dihet kurrë. Shpresoj të luaj në një ligë më të fortë jashtë vendit./KLEVIN MUKA/NEWSPORT.AL