
Është 23 vjeç dhe luan si qendërmbrojtës. Amir Bilali është futbollisti më i ri i Teutës. Ende nuk është zyrtarizuar, por vetë ai në një intervistë për newsport.al ka treguar që ka arritur marrëveshjen me klubin durrsak dhe do t'i bashkohet "Djemve të Detit" në Antalia për fazën përgatitore.
Bilali zbulon që ka pasur oferta nga Laçi, Kukësi dhe Shkëndija e Tetovës, por në fund ka zgjedhur skuadrën durrsake. Kampionatin shqiptar e njeh sepse ka luajtur me Bylisin në Superligë. Dëshira e tij është Kombëtarja, por deri te kuqezinjtë sipas tij ka ende punë për të bërë.
- Amir, ka zëra që jeni transferuar te skuadra e Teutës në Durrës. A mund të na zbulosh diçka më shumë?
Po është e vërtetë. Kam pasur shumë oferta, por me menaxherët e mi vendosëm që të arrija akordin me Teutën e Durrësit. Ende nuk e kemi zyrtarizuar, megjithatë nesër do të bëjmë publike gjithçka.
- Ti luan si qendërmbrojtës dhe kampionatin shqiptar e njihni pasi ke qenë më parë pjesë e Bylisit. Pse vendose të largohesh nga skuadra e Rabotnickit?
Po, është e vërtetë. E njoh kampionatin shqiptar. Kam qenë pjesë e Bylisit, ku kalova 6 muaj mjaft të mirë në Superligë. Zgjodha bashkë me menaxherët e mi të vij sërish në Shqipëri pasi biseduam me drejtuesit e Rabotnickit. Kalova një gjysmë sezoni shumë pozitiv. Isha lojtari me më shumë ndeshje. Me konsensus zgjidhja kontratën dhe tashmë jam lojtar i lirë.
- Te Teuta është larguar trajner Gugash Magani. Ku e sheh në fund të sezonit skuadrën e Teutës me në krye Stavri Nicën?
Nuk kam punuar me këta dy trajnerë, por kam dëgjuar vetëm fjalë pozitive. Unë kam ardhur që të ndihmoj në objektivat e klubit të Teutës. Është një skuadër me historinë e saj, ka një president mjaft të zot dhe tashmë gjithçka varet nga ne me atë që do të japim në fushën e blertë.
- A kishe oferta të tjera në Shqipëri?
Po, kam pasur nga Kukësi, Laçi dhe Shkëndija e Tetovës. Tani mendoj vetëm të jap maksimumin deri në fund të sezonit për skuadrën dhe për veten time.
- Si e sheh Teutën, një ekip për Europë apo për mbijetesë?
E thashë edhe më lart. Është skuadër që ka historinë e saj. Deri në fund ka edhe shumë ndeshje. Pikërisht atëherë edhe ne do të shohim se deri ku do të arrijmë. Jam optimist dhe shumë i motivuar për të bërë më të mirën në çdo ndeshje.
- Në listën e skuadrës së Teutës nuk ishit për fazën përgatitore në Antalia. Si e shpjegon?
Po, është e vërtetë që nuk jam përfshirë. Por, unë do të arrij në Turqi një ditë pas skuadrës. Më pas do të filloj direkt nga puna.
- Më sipër përmendët se ke pasur oferta nga Laçi, Kukësi dhe Shkëndija e Tetovës. Pse i refuzove këto skuadra?
Ashtu e menduam me menaxherët. Janë skuadra të mëdha dhe kam shumë respekt për to. Por, e menduam për të mirën e karrierës sime. Me kënaqësi vendosa të jap maksimumin me skuadrën e Teutës.
- Po sinjale nga Kombëtarja keni pasur?
Me sakrificë dhe punë shpresoj që një ditë të arrij edhe Kombëtaren. Kam besim në aftësitë e mia dhe asgjë nuk është e paarritshme. Tashmë duhet të përqëndrohem vetëm te Teuta.
- Një mbyllje?
Faleminderit shumë për intervistën newsport.al. /Retin TOKA/