Kukësi po kalon një moment të mirë nën drejtimin e trajnerit Peter Pacult. Kampionët e Shqipërisë ndodhen në vendin e dytë dhe këtë javë do të luajnë përballë Skënderbeut. Në kampin verilindor çdo ditë ka zhvillime, megjithatë ato preferojnë të mbeten brenda kornizave të klubit. Sindrit Guri është emri që "vlon" më shumë për shkak të interesit të disa klubeve europiane për shërbimet e tij. Deri më tani s'ka asgjë zyrtare dhe fliten vetëm shifra.
Për këtë newsport.al, kontaktoi menaxherin e përgjithshëm të klubit të Kukësit, Naim Halilin. Në një intervistë të shkurtër, Halili tregoi se shifra maksimale e ofruar për shkodranin është 700 mijë euro. Gjithashtu ai zbuloi se dalja jashtë objektivit e trajnerit Peter Pacult, pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë ka lënë shije të hidhur te presidenca kuksiane. Halili nuk dëshiron të aludojë dhe për rivalët e edicionit të ri përgjigjet me diplomaci.
- Kukësi i Pacult duket se është në "shinat" e duhura. Kjo falë punës së mirë edhe të drejtuesve. A besoni se vitin e ardhshëm do të luftoni për titull?
Skuadra e Kukësit gjithmonë e fillon sezonin për trofe. Edhe edicionin e ardhshëm besojmë se do të krijojmë një ekip për të realizuar objektivat e presidentit që është titulli kampion dhe fitimi i Kupës. Pacult deri tani ka bërë mirë, por eliminimin nga Kupa që ishte objektiv i tij e humbi. Kjo na djeg akoma dhe presidenti është shumë i zhgënjyer për këtë.
- A ka ky Kukës kontigjentin e duhur për titull apo do të ketë shumë lëvizje në merkaton e verës?
Ky Kukës ka kontigjenin e duhur dhe besoj se do ketë pak ndryshime për Kupat e Europës. Do të shikojmë tre ose katër elementë cilësorë.
- Ju personalisht, si iu duket Pacult në krahasim me Milinkoviç?
Për mendimin tim, Pacult me Milinkoviç ndryshojnë shumë. Pacult është trajner i kalibrit të lartë pavarësisht se i duhet edhe pak kohë për t'u përshtatur, por është shumë profesionist. Mendoj se me zgjedhjen e Milinkoviç gabuam. Ai ishte i paqëndrueshëm dhe çdo humbje ia faturonte skuadrës ose individëve të veçantë. Donte të bënte trajnerin e madh, por nuk ishte i tillë. Sjellja me futbollistët ishte shumë e keqe. Ndoshta për faj të atij, edhe disa lojtarë nuk treguan vlerat e tyre.
- Guri, është lojtari i momentin. Për një ekip cilësor duhen futbollistë cilësorë. A ekziston mundësia që ai të qëndrojë edhe për sezonin e ardhshëm?
Guri është lojtari i momentit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Ka shumë oferta, por presidenti vështirë se do ta lëshojë pa plotësuar kërkesat ekonomike. Deri tani shifra e ofruar për futbollistin është 700 mijë euro. Por, presidenti kërkon me të drejtë një shumë më të madhe dhe përqindje të kartonit të lojtarit. Me cilësitë që ka Guri, unë e kam krahasuar me Leëandoëskin dhe Dzekon. Guxoj të them që ka edhe më shumë cilësi se këta.
- Skënderbeu apo Partizani, cili do të jetë rivali juaj në sezonin e ri?
Të gjithë ekipet e fillojnë sezonin me objektiva, por unë mendoj që është herë për të thënë se cilët do të jenë rivalët tanë për edicionin e ardhshëm. Besoj se do të jenë shumë ekipe që do rivalizojnë për titull kampion. /Newsport.al/
