
Ditën e premte do të luhet derbi i kryeqytetit Tirana-Partizani. Një ndeshje e cila do të vendosi shumë për vazhdimsinë e të dyja skuadrave. Bardheblutë vijnë në këtë takim pas 2 barazimesh me trajnerin Nevil Dede që kërkon fitoren e parë me skuadrën e re. Nga ana tjetër, Partizani me Dajën duket se ka ndryshuar totalisht dhe kryesojnë Superligën pas 5 javësh.
Një nga lojtarët që ka provuar shijen e derbit me të dyja skuadrave është edhe Endri Vrapi. Ish-mbrojtësi e ka mbyllur me futbollin e luajtur, ndërsa tani vijon karrierën si trajner.
Në një intervistë për Newsport.al, Vrapi skanon derbin Tirana-Partizani, dy trajnerët Nevil Dede dhe Ilir Daja si dhe në fund flet për luftën që ekipet do të kenë për titullin kampion.
Të premten derbi Tirana-Partizani, si e shikoni këtë ndeshje?
Besoj se ndeshja e ditës së premte do të jetë e luftuar sepse të dyja ekipet kanë treguar që pozicioni në table nuk është domethënës në një derbi. Tirana besoj se do të jetë më e kujdesshëm sepse për momentin nuk po merr atë që po kërkon, ndërsa Partizani duket sikur është në rrugën e duhur me paraqitjet e bëra deri më tani.
Cila skuadër mendoni se është favorite?
Derbi nuk ka favorit, por duke parë që ekipet janë të eutura për 3 pikë kundrejt një rivali të përjetshëm do të jetë një ndeshje e luftuar deri në minutën e fundit.
Si ka ndikuar ardhja e Nevil Dede te Tirana, ishte veprim i duhur ndryshimi i trajnerit?
Nevili e njeh mjaft mirë ambientin e Tiranës dhe për këtë gjë është përzgjedhur. Është formuar si lojtar te Tirana e tani si trajner, grintën dhe egon që ka pasur si futbollist mendoj se do ta kërkojë edhe tek lojtarët duke e përçuar në çdo repart.
Si e keni parë Partizanin me Ilir Dajën?
Me Dajën, Partizani ka krijuar një stabilitet në të luajtur. Dua të përgëzoj trajnerin Daja për aktivizimin e mesfushorit të ri Kote që i ka dhënë besim dhe unë mendoj se do të eci përpara pasi Daja beson shumë tek lojtarët e rinj. Duhet thënë që Partizani nuk e ka ende grupin e plotë sepse është ende i penalizuar nga FIFA për merkaton.
Sa mund të ndikojë fitorja dhe humbja në derbi për vazhdimësinë e sezonit?
Fitoret në derbi janë pak kunj me njëri-tjetrin pasi veç fushës ajo përcillet edhe jashtë saj duke arritur deri te tifozët që mezi e presin. Mund të shikojmë edhe ndonjë shfaqje, meqë tifozët nuk lejohen në vendet e tyre në stadium.
Kë shikoni se pretendent për titullin kampion?
Është ende herët për të ndarë vendet për titullin kampion pasi "lufta" sapo ka filluar. Çdo ekip ka pretendimet e veta, por mendoj se cilësia dhe kualitetet do të jenë ato që do të shpallin një skuadër kampione.