
Ish futbollisti bardheblu, Erbim Fagu, në prag të derbit Tirana-Partizani i cili është i vlefshëm për javën e 31 të Superligës, në një prononcim për Newsport.al ka folur për situatën e Tiranës dhe tifozerisë bardheblu. Ai gjithashtu shprehet se Tirana ka humbur identitetin dhe flet për fituesin e kampionatit për këtë sezon.
"Gjendja aktuale e Tiranë është vërtetë alarmante. Një skuadër që e ka humbur identietin e saj, ka humbur dhe tifozet së fundmi të cilët kanë qenë mbështetja e tyre kryesore vitet e fundit. Më vjen keq kur shikoj Tiranen në këtë gjendje, pasi është skuadra më e titulluar në Shqipëri. Por kjo gjendje e veshtirë nuk ka ardhur rastësisht këtu ku është.
Tirana është një nga skuadrat e vetme në Superligë që ka probleme organizative dhe administrative që në kohët e saja më të mira ka qenë model përsa i përket organizimit. Tirana ka nevoje për një reformë të përgjithshme që të kthehet aty ku i takon. Vëmendja e Tiranës tek fitimi i kupës ka bërë që të harrojë kampionatin, ku tashmë gjendet tepër e rrezikuar për rënien nga kategoria.
Shpresoj që tifozët e Tiranës në këtë ndeshje të jenë të shumtë për t'i dhënë bukuri këtij takimi shumë të rëndësishëm, por dhe për të mbështetur skuadrën në këtë moment të vështirë.
Sigurisht që të dyja skuadrat do të luajnë për të fituar ndeshjen. Është një derbi dhe i ka të treja rrezultatet brenda. Partizani është më i avantazhuar pasi ka në përbërje lojtarë më cilsorë dhe me eksperiencë.
Por të mos harrojmë që Tirana luan për të mos rënë nga kategoria, kështu që të kuqtë duhet të përgatiten për një ndeshje tepër të vështirë. Përsa i përket premiove të ekipeve kundërshtare për të frenuar Partizanin në këtë takim, mendoj që ato duhet të fitojnë njëherë ndeshjet e tyre.
Sigurisht që në futbollin botëror premiot ekzistojnë, por mendoj që Tirana do të luajë njëherë për veten e saj pastaj dhe për premion, gjithmonë nëse do ketë një të tillë.Titulli kampion do të vendoset në ndeshjet direkte .
Mendoj që skuadra që do gaboj më pak do fitoj titullin. Momentalisht të tre skuadrat po kalojnë një formë të mirë sportive, kështu që do kemi një luftë të ashpër deri në javën e fundit", përfudoi Fagu./ Erald TANUSHI/ NEWSPORT.AL