[caption id="attachment_100399" align="alignleft" width="294"] Arbër Abilaliaj[/caption]
U formua si futbollist nga akademia e Flamurtarit, por më pas spikati me të kuqtë e Partizanit. Luajti për disa vite me kryeqytetasit dhe më pas u largua drejt Besës së Kavajës. Karriera e tij në futbollin shqiptar është mjaft e pasur ku pasur mundësinë të luajë me ekipe me emër siç janë Tirana apo edhe Skënderbeu. Por, fati nuk ishte me të pasi dëmtimet e shumta e detyruan ta linte futbollin në një moshë të re. Arbër Abilaliaj, i kontaktuar nga newsport.al ka dhënë një intervistë ekskluzive ku bën një analizë të detajuar të Superligës shqiptar. Arbëri zbulon se me çfarë merret tashmë që ka lënë futbollin, por edhe ekipin që bën tifo në kampionatin tonë.
- Arbër latë futbollin në një moshë ku lojtarët në Shqipëri arrijnë majat. Pse ndodhi?
Është e vërtetë që e lashë futbollin në një moshë të tillë. Por, duke marrë shkas nga dëmtimet e shumta që kam pasur gjatë karrierës sime dhe nuk pata ndonjë ekip që të më motivonte, përveç Skënderbeut, vendosa të tërhiqesha. Dua të theksoj që skuadra korçare i ka të gjitha kushtet për t'u stërvitur në mënyrë optimale. Mendova që të mos vazhdoja më pasi mund të isha përsëri i ekspozuar nga ndonjë dëmtim tjetër.
- Me çfarë merreni tani?
Për momentin po merrem me punë të miat, por jo këtu në Shqipëri. Jam i detyruar që të qëndroj disa ditë këtu, e më të shumtën e kohës jashtë shtetit.
- A iu mungon fusha e blertë?
Fusha e blertë sigurisht që më mungon. I ndjek të gjitha ndeshjet e Superligës me një ankth të madh pasi jam vetëm 30 vjeç dhe ende këmbët e mia dëshirojnë që të jem në fushë. Por, siç e thashë dhe më lart ishte më shumë një zgjedhje logjike se sa zemre.
- Keni menduar të riktheheni?
Siç e thashë më lart dëshira është të jem në fushë, por në të vërtetë karriera ime është mbyllur.
- Po në një post drejtuesi?
Sa për rikthimin tim në sport sigurisht që do të jem aty një ditë. Nuk ka rëndësi nëse në post drejtues ose jo, por për mua futbolli është dashuri ime e madhe dhe pavarësisht me çfarë po merrem aktualisht, një ditë do të jem aty për të dhënë kontributin tim në futbollin shqiptar.
- Ndalemi pak te Superliga shqiptare. E keni ndjekur?
Po, sigurisht! Mundohem të ndjek çdo ndeshje të kampionatit shqiptar, pavarësisht kohës në dispozicion që mund të kem. I kam ndjekur aq sa tashmë mund të jap konkluzionin tim në lidhje me këtë sezon të Superiores.
- Titulli ndahet mes Partizanit, Kukësit dhe Skënderbeut. Kë shihni favorit?
Mendoj se Skënderbeu dhe Partizani kanë shanse reale për t'u shpallur kampion, sidomos Partizani në këto momente.
- Po Kukësi pse jo?
(Qesh) Kukësi gjithnjë thembrën e Akilit ka pasur fundin e kampionatit. Nuk mundin të menaxhojnë presionin në situata kyçe. S'besoj se janë gati për të dalë kampion, po nuk punuan me mentalitetin. Në fillim si skuadër janë shumë e mirë, por me mentalitet janë shumë prapa. Një ekip që do të dalë kampion me çdo kusht, tetë javë nga fundi, nuk mund të barazojë në shtëpi me Vllazninë duke humbur dy pikë të arta. Mendoj se ato dy pikë i kanë kushtuar kampionatin verilindorëve.
- Keni luajtur me Partizanin vite më parë. Sa ka ndryshuar dhe cili është çelësi i suksesit për të kuqtë?
Po është e vërtetë që kam luajtur me Partizanin dhe në vite shumë të mira. Atëherë Partizani kishte ekip shumë të fortë dhe çdo vit synonim titullin, por s'ia arritëm pasi edhe konkurrenca ato vite ishte shumë më e madhe. Partizani i sotëm besoj se ka bërë një gjë pozitive në krahasim me të kaluarën, që isha dhe unë pjesë e tij. Sot, klubi i kuq është mbështetur në shumë kualitet vendas, ku ka marrë një grup lojtarësh në moshë të re dhe po i rrit vit pas viti. Iu kujtoj që në kohën time Partizani mbështetej shumë nga merkato jashtë vendit dhe kjo e bënte jo shumë stabël. Ekipi vit pas viti ndryshonte. Mendoj që tashmë i ka ardhur koha për kampion, pasi puna e mirë e bërë nga drejtuesit po shfaqet në fushë.
- Jeni një ndër lojtarët që keni shëtitur disa klube me emër të Superiores, si Flamurtarin dhe Tiranën. Ç'mund të thuash?
Sa për Flamurtarin s'di vërtet çfarë të them. S'ka fjalë si mund të katandiset një ekip i tillë për të dalë nga Kategoria. Sikur edhe lojtarët e moshave të ishin pjesë e skuadrës së parë, jam i bindur që do ta mbyllin sezonin në mes të tabelës. Tashmë është bërë e modës që Flamurtari është një tymnajë e madhe ku vetëm për futboll s'është folur ndonjëherë. Kjo është e papranueshme.
Për Tiranën jam totalisht i befasuar pasi e nisën sezonin si pretendentë dhe tashmë janë futur në vallen e rënies.
- Pse mendoni që Tirana e madhe është zvogëluar në këtë mënyrë?
Ka disa arsye. E para dhe më kryesorja është se Tirana ka pasur shumë halle jashtë fushës së blertë. Presidenti Halili e mori klubin me shumë borxhe dhe deri më tani i është dashur të paguajë atë që kanë "ngrënë" të tjerët. Kjo e ka një kosto dhe tashmë që po dalin në krye shihen dhe pasojat e këtij borxhi të madh.
Ndryshe nga vitet e kaluara, Tirana po bën një punë të mirë në këto vitet e fundit. Ka kthyer vëmendjen nga futbollistët vendas dhe po i rrit duke i dhënë mundësi për të qenë në fushë. Pikërisht këtë gjë bëri Partizani para 3 apo 4 vitesh që sot po lufton për titull.
- Flamurtari apo Tirana. Kush do të mbijetojë?
Tirana do të qëndrojë, për këtë jam i bindur. Madje shumë shpejt bardheblutë do të rikthehen në klubin që janë dashuruar shumë veta. Skuadrat që janë në valle për të zbritur më poshtë janë Laçi dhe Flamurtari, ku do të rivalizohet deri javën e fundit.
- Duke qenë se e njihni mirë kampionatin tonë, mendoni se ka aleanca për titull apo për mbijetesë?
Sa për aleanca në futbollin shqiptar besoj se ka dhe është normale në çdo lloj kampionati.
- Pengu më i madh i karrierës tënde?
Nuk kam ndonjë peng të madh në sport, pasi kam bërë gjithnjë sa kam pasur mundësi. Por, fati s'ka qenë shumë nga ana ime sepse shumë herë jam penalizuar me dëmtime të rënda dhe ndoshta kjo ka diktuar karrierën time.
- Marrëdhëniet me ish-shokët e skuadrave i ruani?
Po i mbaj. Ka shumë ish- lojtarë që e kanë lënë futbollin, por kam miq dhe shokë edhe ata që tashmë janë të spikatur në kampionatin tonë.
- Do të na zbuloni një kuriozitet. Për kë bën tifo Abëri në kampionatin tonë?
Flamurtarin s'po e përmendim pasi dihet. Është vendi im i lindjes. Këtë sezon me thënë të drejtën kam parë gjithnjë Korçën si të preferuarën time. Ndërsa mes Partizanit dhe Tiranës, për atë që ka treguar Partizani në fushë vitet e fundit, do të preferoja Partizanin. /Retin TOKA/ NEWSPORT.AL/