Tan Kadia, administratori i stadiumit "Elbasan Arena" në një prononcim për newsport.al ka folur për këtë impiant të futbollit shqiptar. Kadia ka treguar se ku do të luajnë skuadrat e Superiores, konkretisht Partizani. Gjithashtu ka treguar që ky stadium është në gjendje të përballojë një fluks të lartë ndeshjes, ashtu si "Qemal Stafa" kohë më parë.
- Cilat janë skuadrat që do të luajnë Superioren në “Elbasan Arena”
Me statusin që ka Stadiumi, të gjitha ekipet e Superligës mund t'i zhvillojnë ndeshjet në ELA. Partizani normalisht është në vështirësi për shkak të prishjes së Q. Stafës. Por mundësitë i ka që të luajë normalisht edhe në "Selman Stërmasi". Zgjedhjen e ka vetë.
- Kombëtarja do të transferohet përfundimisht në Shkodër?
Stadiumi i Shkodrës është praktikisht gati për ndeshjen e parë të kombëtares me Maqedoninë dhe në vijim edhe për dy ndeshjet e tjera atë me Spanjën dhe atë me Izraelin që mbyllin ndeshjet në shtepi për këtë vit. Natyrisht që kushtet në "Loro Boriçi" janë shumë më të mira si për sportistët ashtu edhe për sportdashësit dhe gazetaret. Nuk ka vend për debate përse kombëtarja në Elbasan apo në Shkodër. Besoj që sa herë të nevojitet rezultat do luhet në Shkodër. Në fund të fundit ELA u ndërtua në kushtet e presionit nga UEFA që nëse Shqiperia nuk do të plotësonte kushtet, Kombëtarja do luante jashtë. Tashmë, praktikisht jane dy stadiume që plotesojnë kushtet e UEFA-s për zhvillimin e ndeshjeve të ekipit Kombëtar.
- Partizani do të luajë vetëm në Elbasan?
Është zgjedhja e Partizanit se ku do të deshiroje t'i zhvillojë ndeshjet e tij. Praktikisht me dy ndeshjet që Partizani ka zhvilluar për kupat e Europës ka mbetur shumë i kënaqur nga kushtet që ofron Stadiumi. Se do të luaje në Elbasan, vetëm në Elbasan apo nuk do të luajë fare në Elbasan, është punë e Partizanit.
- Po derbi aty do të zhvillohet?
Besoj që iu përgjigja te pyetja e mëparshme.
- A e përballon dot “Elbasan Arena” fluksin e ndeshjeve në mungesë të “Qemal Stafës”?
Përderisa Qemal Stafa ka përballuar një fluks edhe më të madh, ELA besoj që e përballon po aq mirë. Natyrisht që fusha ka nevojë për kohë që të ripërtërihet. Ne jemi mësuar tashmë ta shohim fushën e Elbasan Arena gjithnjë në kushte optimale. Sidoqoftë, Stafi i Stadiumit dhe FSHF besoj që do të bëjnë gjithnjë më të mirën që Stadiumi të mirëfunksionojë gjithnjë shumë mirë pavarësisht nivelit të eventeve.
- Po Elbasani ku do të luajë?
Natyrisht që Elbasani do të luajë ndeshjet e tij në Elbasan Arena. Për këtë egziston një marrëveshje midis FSHF-së dhe Bashkisë Elbasan. Nëse është dukur sikur ka patur një lloj diskriminimi për Elbasanin që nuk i ka kryer disa ndeshje në Elbasan Arena, kjo ka ndodhur për shkak të punimeve që janë bërë në Stadium për instalimin e pistës së atletikës si dhe prej kalendarit të ndeshjeve të ekipit Kombëtar. Besoj që është e natyrshme dhe tashmë duhet ta kemi mirëkuptimin e gjithsecilit që për ndeshjet e ekipit kombëtar, fusha duhet të jetë në kushte optimale. Për këtë, ndonjëherë duhet kohë për të ripërtërirë.
- A do të ketë ndërhyrje të tjera në “Elbasan Arena”. Ka diçka më tepër në projekt?
Njëherë për njëherë nuk ka nevojë për ndërhyrje të tjera. Me kualifikimin vjet të Skënderbeut në fazën playoff të Champions League, u vunë disa kushte shtesë nga UEFA të cilat u realizuan në kohën e duhur.
- A është e vështirë mirëmbajtja e një stadiumi?
Kjo është puna ime e përditshme. Unë të gjitha punët i kam bërë me qef, dhe këtë mundohem tua transmetoj edhe punonjësve të tjerë. Dua qëpunonjësit të gjejnë kënaqësi në punë. Madje, nga punëtori i fushës kam kërkuar edhe diçka më shumë. Ai duhet ta dashurojë fushën. Deri tani besoj që ja kam arritur.
- Sa është kosto?
Kjo është një pyetje që besoj që nuk ka asnjë lloj rëndësie për t'iu përgjigjur. Fundja shifrat janë relative.
- A përfitohen të ardhura nga administrimi?
Natyrisht që përderisa administrohen të ardhurat nga shitja e biletave si dhe nga vizitorët.